E shtunë, 7 Shtator, 2024
33.8 C
Skopje

Vera e humbur e populizmit

Qëndrimi i përqendruar në mbrojtjen e demokracisë është i domosdoshëm porse jo i mjaftueshëm për ta luftuar këtë trend; duhet ofruar edhe një vizion pozitiv, po ashtu. Kjo është ajo që e majta franceze dhe laburistët britanikë e bënë këtë verë. Ata që trokasin derë më derë për Harrisin do të pyesin se për çfarë ngrihet ajo përnjëmend, përtej të qenët një alternativë për çuditshmërinë Trump-Vance. Është pyetje legjitime kjo dhe një pyetje për të cilën antipopulistët duhet ta ofrojnë një përgjigje të mirë

Nga Jan-Werner MUELLER

Kujtojini fundin e qershorit dhe fillimin e korrikut. E djathta ekstreme e Francës qe favorizuar t’i fitonte zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Gjyqtarët “trumpianë” në Shtetet e Bashkuara me lehtësi po u jepnin zgjidhje problemeve ligjore të ish-presidentit, i cili dukej se shkonte drejt fitores, pas performancës katastrofale të presidentit Joe Biden në debat. Dhe përderisa Mbretëria e Bashkuar po bëhej me Qeveri laburiste, një parti e re anti-emigracion, e udhëhequr nga kryembështetësi i Brexitit, Nigel Farage, po shënonte përparim të pashembullt. Kundruall krejt këtyre, ekspertët paralajmëruan se një dallgë e re populizmi, “antistrukturalizmi” po i mbërthente demokracitë përreth botës.

Që atëherë, opinioni i zymtë i komentuesve duket se i kaliti burimet e reja të shpresës politike. Jo vetëm që ka pak dëshmi për “dallgët populiste” – metaforë që i sjell në mendje partitë e së djathtës ekstreme që pashmangshëm u ngritën në pushtet nëpër shumë shtete – porse përvojat e fundit sugjerojnë për strategji funksionale të luftimit të forcave të këtilla.

Një nga mësimet e nxjerra prej disa muajve të fundit mund të tingëllojë si një e vërtetë e rëndomtë: Të gjitha partitë që e çmojnë demokracinë duhet të bashkohen për t’i përmbysur kërcënimet antidemokratike. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi në Francë, në befasi të shumë ekspertëve. Partitë majtiste e formuan Frontin e Ri Popullor, duke i ngjallur kujtimet e betejës kundër fashizmit në vitet 30’, kur lideri socialist, Léon Blum, i priu koalicionit të komunistëve, socialistëve dhe liberalëve për ta mbrojtur republikën. Pas vendimit të befasishëm të presidentit Emmanuel Macron për ta shpërndarë Asamblenë Kombëtare, e majta u bë kreative përderisa Tubimi Kombëtar i së djathtës ekstreme të Marine Le Penit u zu ngushtë. Por sa për të qenë më të qartë, Fronti i Ri Popullor nuk u thirr thjesht veç në vlerat abstrakte demokratike; në vazhdimësi u thirr po ashtu edhe në vëmendje të shtuar karshi planeve pro-biznes të së djathtës ekstreme, duke bërë të qartë se Tubimi Kombëtar nuk është parti pro-punëtorë siç pandeh të jetë.

Mësimi i dytë buron nga Shtetet e Bashkuara, ku pakkush e parashikoi entuziazmin dhe shpërthimin e gëzimit me të cilin do të pritej kandidatura e re demokrate. Nënpresidentja në detyrë, Kamala Harris, mjeshtërisht e prezantoi veten si përfaqësim të ndryshimit, ndryshe prej si ish-presidentit amerikan, Donald Trump, ashtu edhe presidentit në detyrë, Joe Biden. I përzgjedhuri i saj për nënpresident, governatori nga Minnesota, Tim Walz, kënaqur shumëkënd për karakterizimin që ai ia bëri kandidatit republikan, veçanërisht të përzgjedhurit të tij për nënpresident, J.D. Vance, si “i çuditshëm”. Më në fund, duket se demokratët po e luajnë atë lloje loje të retorikës së ashpër që e djathta përherë e ka luajtur.

S’do mend, centristët e vetëshpallur që predikojnë mbi diskursin civil janë më pak të kënaqur. Ata po i rikujtojnë demokratët se komentet e Hillary Clintonit rreth “të mjerëve” e ndoqën si hije fushatën e saj të 2016-s. Megjithëkëtë, dënimi i kualifikimit “i çuditshëm” si emërtim fëmijëror e huq esencën. Në betejën kundër populizmit të së djathtës ekstreme, ky epitet i posaçëm mund të jetë veçanërisht efikas.

Tekefundit, duke pretenduar se flasin në emër të “njeriut të thjeshtë” apo të “shumicës së heshtur”, populistët e së djathtës ekstreme u portretizuan si përfaqësues të normalitetit. Në Gjermani, një prej sloganeve të partisë së të djathtës ekstreme – “Alternativa për Gjermaninë” – është: Deutschland, aber normal (Gjermani, por normale). Baza e supozuar e populistëve e përfshinë atë që përherë është prezantuar si “populli i thjeshtë”, i cili kërcënohet prej elitave zullumqare dhe “të tjerëve” të rrezikshëm. Kjo është mënyra se si populistët e nxisin frikën prej pakicave veçse të brishta, qofshin ato të refugjatëve apo të personave transgjinorë. Antipopulistët duhet ta përqendrojnë zjarrin e tyre retorik kundër liderëve populistë, e jo mbështetësve të tyre. Vance është “i çuditshëm” ngase është i obsesionuar pas kontrollimit të trupave të grave dhe ndëshkimit për ato që nuk kanë fëmijë, si dhe ngase duket që ushqen simpati për monarkistë dhe për figura të tjera të ideologjisë së të djathtës ekstreme.

Kampi republikan tani i mban shumë qëndrime që janë bukur larg hapit të traditave politike amerikane; admirimi i hapur për autokratët është një shembull i qartë. Kjo mund të supozohet edhe pa sugjeruar se vetë votuesit amerikanë janë të çuditshëm. Qëllimi është të kontestohet pretendimi për normalitet i liderëve që veçse të tillë nuk janë.

Populistët e të djathtës ekstreme, të cilët pretendojnë se flasin për shumicën e heshtur në fakt e përfaqësojnë shumicën e zëshme. Në vetvete, nuk ka asgjë të gabuar në këtë; një mori lëvizjesh progresive nisën në po këtë mënyrë. Por lëvizjet që pretendojnë se flasin për shumicën teksa e përbuzin akëcilin tjetër, përbëjnë kërcënim për demokracinë. Nuk është aksidentale që populistët, të cilët humbin në kuti të votimit, shpesh zgjedhin të bëjnë akuza për mashtrime. Meqë supozohet se e përfaqësojnë shumicën e heshtur, humbja zgjedhore mund t’i atribuohet vetëm shkeljes së rregullave, rëndom prej “elitave liberale” që supozohet se disi e heshtën shumicën.

Antipopulistët duhet të pranojnë se shumicat në fakt nuk i mbështesin forcat populiste të së djathtës ekstreme. Disa javët e para të Qeverisë së re laburiste në Britani të Madhe e konfirmuan këtë vëzhgim të dobishëm. Vendi u përball me protestat më të mëdha në më se një dekadë, pasi dezinformomi e ushqeu dhunën raciste. Duke qenë i kujdesshëm për të mos e mbështetur dhunën drejtpërsëdrejti, Farage bëri që të tingëllojë sikur protestuesit kanë pakënaqësi legjitime të cilat i ndan shumica e heshtur. Por sondazhet tregojnë se vetëm çdo i treti britanik i përkrahë protestat anti-migrim, përderisa kundërshtimi për to është mbizotërues.

Ç’është e vërteta, argumenti “Ne jemi më shumë!” – slogan i sajuar nga protestuesit anti-populistë në Gjermani – shkon vetëm kaq larg. Përderisa e djathta e ekstreme e pretendon rrejshëm monopolin mbi normalitetin, e vërteta është se partitë e së djathtës ekstreme po normalizohen tek përherë e më shumë politikanë të qendrës së djathtë e kopjojnë retorikën e tyre apo hyjnë në koalicione me ta.

Qëndrimi i përqendruar në mbrojtjen e demokracisë është i domosdoshëm porse jo i mjaftueshëm për ta luftuar këtë trend; duhet ofruar edhe një vizion pozitiv, po ashtu. Kjo është ajo që e majta franceze dhe laburistët britanikë e bënë këtë verë. Ata që trokasin derë më derë për Harrisin do të pyesin se për çfarë ngrihet ajo përnjëmend, përtej të qenët një alternativë për çuditshmërinë Trump-Vance. Është pyetje legjitime kjo dhe një pyetje për të cilën antipopulistët duhet ta ofrojnë një përgjigje të mirë.

(Jan-Werner Mueller, profesor në Universitetin Princeton, është autor i librit “Democracy Rules”. Ky shkrim është marrë nga Koha.net)

Artikuj të ngjajshëm