Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Raa ka bërë një reagim të gjatë në rrjetet sociale lidhur me procesin e numërimit të votave me postë të sjella nga diaspora.
Ai ngre shqetësime për parregullsi të shumta dhe se shpallja e qindra fletëvotimeve si të pavlefshme, pavarësisht qartësisë së votës së qytetarëve, është vetëm një nga problemet e evidentuara.
Postimi i plotë
Me qindra fletëvotime, si këto më poshtë, janë shpallur të pavlefshme nga numëruesit e QNR-së për një arsye absurde, sepse qytetarët nuk i kanë shtypur ato siç duhet.
Por në të gjitha këto fletëvotime qëllimi i votuesit është i qartë dhe i pakontestueshëm.
Insistimi ynë për të mos i shpallur të pavlefshme këto fletëvotime nuk është i pabazuar dhe as i paligjshëm. Në Rregulloren Zgjedhore të KQZ-së (NR. 12/2024 për Votimin, Numërimin në Vendvotim dhe Menaxhimin e Vendvotimit) thuhet qartë:
“Vota është e vlefshme kur votohet vetëm një subjekt politik dhe kuptohet qartë qëllimi i votuesit.”
Në të gjitha këto fletëvotime figuron vetëm një subjekt politik që është dëshmi e qartë e qëllimit të votuesve.
Por aq sa është i qartë vullneti i qytetarëve në këto fletëvotime, po aq i qartë është edhe qëllimi i shumicës së anëtarëve të KQZ-së për t’i shpallur ato të pavlefshme, një përpjekje kjo e qëllimshme për të shkelur përcaktimin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës në mërgatë dhe me këtë edhe parimet themelore të demokracisë.
Duke parë që KQZ-ja nuk është e gatshme të korrigjojë këto shkelje për arsye krejtësisht politike, kemi dorëzuar tashmë ankesën tonë në PZAP.
Çdo përpjekje për të manipuluar vullnetin qytetar është cenim i thellë i vetë demokracisë!