Shkup, 5 shkurt – Gjashtë eko-autobusët e ri që qyteti i Shkupit i mori si donacion nga Bashkimi Evropian, e të cilët u promovuan më 26 nëntor 2024, më në fund janë vënë në shërbim. Dy muaj e një javë pas dorëzimit të autobusëve në Ndërmarrjen e Transportit Publik Shkup, ata kanë nisur të operojnë në linjat 2, 4, 5, 7, 15, 16, 24 dhe 50. Vonesa për shërbimin, siç thuhet zyrtarisht ka qenë për shkak të procesit të zgjedhjes së kompanisë që do të sigurojë autobusët. “Duhej të kalonin disa afate, sepse ne po zgjidhnim një kompani sigurimesh. Ne e zgjodhëm ‘Viner’, por duhej të prisnim që të kalonte ajo procedurë dhe pastaj të viheshin në përdorim”, thonë në NQP- Shkup.
Edhe pse drejtori Dragi Kushovski në promovimin e autobusëve paralajmëroi se ata do të funksiononin për rreth dy javë, autobusët qëndruan të parkuar për një kohë të gjatë në depon e NQP-së. Arsyeja e parë e vonesës ishte gabimi në numrin e shasisë te njëri nga autobusët, i cili u konstatua pas marrjes së automjeteve, duke kërkuar një miratim të ri të numrit të saktë të shasisë në një seancë të Këshillit të qytetit të Shkupit. Problemi i dytë ishte bllokimi i llogarisë së kompanisë, që pengoi pagesën e sigurimit për autobusët e ri.
Autobusët që do të lëvizin me metan janë donacion nga Bashkimi Evropian, përmes projektit “BE për ajër të pastër”. Eko-autobusët e dhuruar janë prodhuar në Turqi dhe vijnë me një garanci dyvjeçare. Përgjegjësit pohuan se ka një kompani në vendin tonë që do të ofrojë shërbimin dhe do të sigurojë pjesë këmbimi, në rast se do të jetë e nevojshme. Autobusët funksionojnë me metan dhe janë të pajisur me transmision automatik. Sipas NQP-së, shoferët nuk do të kenë nevojë për trajnim të veçantë për t’i përdorur ato. (koha.mk/A.R)