E hënë, 16 Qershor, 2025
32.8 C
Skopje

Vjosa Osmani organizoi darkë me Rita Orën, Taika Waititi, Dafinën, Valdrin Sahitin dhe të tjerë

Me një atmosferë të ngrohtë dhe festive, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar një video përmbledhëse në rrjetet sociale që shfaq bukurinë dhe harmoninë e darkës së organizuar nga vetë ajo në Prishtinë.

Takimi, i cili kishte ftuar shumë artistë të njohur në skenën lokale dhe ndërkombëtare, u bë një moment për të festuar dhe për të nderuar arritjet e tyre.

Veçanërisht në qendër të vëmendjes ishte prezenca e këngëtares shqiptare me famë botërore, Rita Ora, e cila festoi 33-vjetorin e lindjes në Prishtinë.

Në video, shihet Presidentja Osmani që ndan me krenari dhe respekt prezencën e Ritës, duke e prezantuar me nderime teksa artistja ndan buzëqeshje dhe fjalë të mira ndaj të pranishmëve. Bashkë me të ishte edhe bashkëshorti i saj, regjisori hollivudian me origjinë nga Zelanda e Re, Taika Waititi.

Në këtë takim madhështor, ndër të tjerë pjesëmarrës ishin edhe: Dafina Zeqiri, Yll Limani, Alma Bektashi, Edona Reshitaj, Jehona Sopi, dhe shumë figura të tjera të artit dhe kulturës. Videoja sjell pamje nga bisedat e gëzueshme, të qeshurat, dhe ndërveprimet ndërmjet artistëve, duke krijuar një ambient të jashtëzakonshëm ku talenti dhe suksesi u nderuan si duhet.

“Një mbrëmje e jashtëzakonshme me Rita Orën, Taika Waititin e miq të shumtë. Një festë e arritjeve dhe të sukseseve panumërta të Ritës dhe të gjithë artistëve tanë në çdo fushë”, shkroi Presidentja Osmani në mbishkrimin e videos në rrjetet sociale.

Rita përndryshe gjatë qëndrimit në vendlindje është nderuar nga Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama me “Çelësin e Qytetit”.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm