Koalicioni VLEN nuk sheh asgjë të re në hapat e BDI-së kur bëhet fjalë për paralajmërimin se ekspertët ndërkombëtarë që i ka angazhuar për mbrojtjen e legjitimitetit, janë duke analizuar modelin e rregullimit shtetëror sipas atij belg ose irlandez-verior. Në një përgjigje për TV21 rreth këtyre paralajmërimeve, nga VLEN thanë se BDI po shkon në histori dhe po tentojnë të përdorin forma të ndryshme për të shpëtuar nga ndjekja penale për krimet e bëra.
“Nuk është diçka e re që vjen nga Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI gjithmonë kur kapet me presh në dorë mundohet që të njëjtën ta mbulojë duke u thirrur në tema madhore si prishja e Jugosllavisë, ndarje territoriale, e deri në Open Ballkan. Themi nuk është diçka e re pasi që po e njëjta BDI veprime të ngjashme bënte edhe në rastin e montuar politik “Monstra”, edhe me “Rastin e Kumanovës” në Lagjen e Trimave në Kumanovë, por edhe me përgjimet ku figura të larta në BDI ishin të përfshirë në marrëveshje korruptive dhe kriminale. Andaj Koalicioni VLEN, por edhe qytetari shqiptar, këto lojëra të BDI-së tashmë i ka të njohura dhe e dimë që përmes kësaj mundohen që t’i fshehin mëkatet e tyre, por ju sigurojmë që do të përgjigjen para organeve të rendit për krimet e bëra”, tha VLEN.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE duke u përgjigjur mbi këtë çështje, sot thanë se për ta janë të papranueshme shantazhet që zbatohet nga BDI, me parimin që kur kjo parti nuk është në Qeveri, atëherë krijon çështje etnike dhe ndarje.
“Rikujtojmë se deri para një muaji i gjysmë BDI ishte në pushtet bashkë me LSD-në dhe atëkohë për Ali Ahmetin nuk ishte e rëndësishme ndarja rajonale e Maqedonisë, sa ç’ishte rëndësishme që “Arbëria” të merrte tenderët e Artanit, nipi i Alisë ta blinte “Soravian”, ose kompanitë nënkontraktuese të “Behtel dhe Enka” të jenë të njëjtat nga Zajazi ose të afërta me BDI-në. Në atë kohë për Ahmetin nuk ishte asgjë më me rëndësi se këto”, deklaroi Marija Miteva, deputete dhe zëdhënëse VMRO-DPMNE.
VMRO-DPMNE thotë se me përkushtim punon për zgjidhje për jetë më të mirë për njerëzit dhe për mbajtjen e harmonisë dhe marrëdhënieve cilësore në bazë të probleme të zgjidhura, pa ndarje dhe konflikte. Mbi këtë temë ka pasur reagime edhe nga eksponentë të BDI-së. Ndër to, deputetja Rina Ajdari, e cila në Facebook shkroi se “çështjet etnike i krijojnë vetë përmes politikës nacionaliste, mandej akuzojnë se BDI po kërkon zgjidhje radikale”. Sipas saj, “të paktën duhej ta merrnin parasysh se një gjë e tillë do të ndodhte sepse çdo veprim, ka kundërveprim! Lisi nuk pritet me nji të rame!”, ka shkruar Ajdari.