Drejtori i përgjithshëm i Volkswagenit, Oliver Blume, ka deklaruar se në gjysmën e dytë të kësaj dekade kompania duhet të ketë një veturë elektrike që do të kushtojë 20 mijë euro.
Në konferencën për media, ai deklaroi se Volkswageni ende nuk ka marrë vendim për prodhimin e një veture elektrike që do të kushtonte 20 mijë euro. Por është i bindur se një veturë e tillë duhet të jetë në dispozicion në gjysmën e dytë të kësaj dekade, shkruan Reuters.
Blume ka theksuar se sfida më e madhe se si të ulet kostoja e prodhimit të automjeteve elektrike është se si të ulet kostoja e prodhimit të baterive. Ai tregoi se kompania tashmë po punon se si të përgjysmojë koston e prodhimit të baterive.
Në mars të këtij viti, Volkswageni prezantoi një model elektrik në zhvillim, i cili do të dalë në treg në vitin 2025. Do të ketë një distancë prej 450 kilometrash me një karikim të vetëm dhe duhet të ketë një bateri, kapaciteti 10 deri në 80 për qind e së cilës mund të karikohet në 20 minuta. Çmimi i tij pritet të jetë 25 mijë euro.
Blume ka thënë se duan të tregtojnë produktet e duhura me çmimin e duhur. Sipas tij, presioni i inflacionit, mungesa e infrastrukturës për mbushjen e baterive dhe heqja e subvencioneve për veturat elektrike kanë ndikuar negativisht në kërkesën për këto vetura.
Veturat elektrike, veçanërisht nga prodhuesit evropianë, kapin çmime të papërballueshme për shtresën e mesme.