Shkup, 9 maj – Federata e Futbollit e Maqedonisë (FFM) ka vendosur të marrë masa disiplinore kundër klubeve Voska Sport dhe Gostivari për shkak të ndeshjeve të paluajtura në dy xhirot e fundit të Ligës së Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut.
Sipas vendimit të Komisionit Disiplinor të FFM-së, Voska Sport dënohet me heqjen e nëntë pikëve dhe gjobë prej 25.000 eurove për moszhvillimin e ndeshjes së xhiros së 29-të. Për mos luajtjen e ndeshjes në xhiron e 30-të, klubi nga Ohri mori dënim me nëntë pikë tjera minus dhe një gjobë shtesë prej 25.000 eurosh.
Nga ana tjetër, klubi i Gostivarit u dënua po me nëntë pikë minus dhe 25.000 euro gjobë për moszhvillimin e takimit të xhiros së 30-të. Po ashtu, për mos paraqitjen në xhiron e 31-të, pason një dënim identik – nëntë pikë të tjera minus dhe një gjobë të njëjtë.
Pas hyrjes në fuqi të këtyre vendimeve, të dyja ekipet – Voska Sport dhe Gostivari do të zbresin në kategorinë më të ulët të garave futbollistike në vend dhe do të kenë ndalesë për pjesëmarrje në sezonin garues 2025/26.
Ndërkohë, FFM ka njoftuar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të rikuperuar shumën prej 150.000 eurosh, të cilat Voska Sport i kishte përfituar më 10 prill 2025 nga skema e solidaritetit për sezonin aktual 2024/25. Këto masa të rënda pasqyrojnë qëndrimin e prerë të Federatës kundër shkeljeve të disiplinës dhe organizimit në garat zyrtare. Zbritja nga liga dhe përjashtimi nga sezoni i ardhshëm janë një sinjal për klubet që mosangazhimi dhe mungesa e seriozitetit nuk do të tolerohen në futbollin profesionist.