Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç, në një konferencë të përbashkët për media me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviç, të hënën në Beograd, ka mohuar pretendimet e Qeverisë së Kosovës se Serbia, nëpërmjet sulmit të organizuar terrorist në Banjskë të Zveçanit, ka synuar aneksimin e plotë të veriut të Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë të dielën se në përpjekje e sipër për aneksimin e veriut të Kosovës që banohet kryesisht me serbë etnikë, kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejtë edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, së bashku me ministrin serb të Mbrojtjes dhe shefin i e shtabit së ushtrisë serbe, por autoritetet serbe e kanë mohuar.
Vuçeviçi, i cili është edhe kryetar i Partisë Progresive Serbe (SNS), ka thënë se bashkëpunimi ndërmjet ushtrisë serbe dhe misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) ka qenë i bazuar në respekt të ndërsjellë dhe është realizuar me korrektësi, ndërsa ka kërkuar që KFOR-i të ngrisë praninë në pjesën veriore të territorit të Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Ai po ashtu ka mohuar se ushtria serbe ka ngritur gatishmërinë e saj ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën, duke theksuar se nëse presidenti serb jep urdhër për të hyrë në territorin e Kosovës, ushtria serbe “do ta kryejnë një detyrë të tillë në mënyrë efikase, profesionale dhe të suksesshme”, por jo pa e njoftuar KFOR-in paraprakisht.
“E edhe atëherë, paraprakisht do t’ia njoftonim KFOR-it, duke respektuar absolutisht normat e së drejtës publike ndërkombëtare dhe ligjit të luftës. Deri më sot, falë zotit, nuk është dashur të marrim një vendim të tillë. Serbia do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj që kjo të mos ndodhë në të ardhmen”, ka deklaruar Vuçeviçi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) i kanë bërë thirrje Serbisë të shtunën ta ndalë menjëherë grumbullimin e paprecedent të ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani, përfshirë artilerinë, tanket dhe njësitë e këmbësorisë. (A.B)