Situata në Kosovë ka qenë një nga temat e bisedës në mes të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyhau
Vuçiç dhe Netanyhau janë takuar në kuadër të seancës së Asamblesë së 79-të të Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Lajmin e ka bërë të ditur presidenti serb, përmes një postimi në Facebook, ku e ka konsideruar si “bisedë të mirë” takimin me kryeministrin izraelit.
“Biseduam për ngjarjet aktuale gjeopolitike, situatën në Kosovë dhe në Izrael, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe”, njoftoi Vuçiç.
Në Nju Jork, ndër të tjerë, kreu serb është takuar edhe me të Dërguarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Me Vuçiç-in, siç njoftoi Lajçak, ka diskutuar “në detaje” për procesin e negociatave Kosovë-Serbi.
Në fokus të diskutimeve, shtoi emisari evropian, ka qenë nevoja për ri-angazhim drejt zbatimit të marrëveshjeve të arritura në fillim të vitit të kaluar midis Kosovës dhe Serbisë, atë që njihet si Marrëveshja Bazike (Bruksel më 27 shkurt, Ohër më 18 mars 2023).
“Ne kemi diskutuar në detaje për zhvillimet e fundit në dialog dhe nevojën për ri-angazhim dhe zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, në dritën e Planit të Rritjes të BE-së për rajonin”, shkroi Lajçak në platformën X, të mërkurën. (AP)