Bodo Weber nga Këshilli joqeveritar për Politikë Demokratike në Berlin, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në gjuhën serbe, ka thënë se “politika e butë” e Perëndimit ndaj Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, çoi në një “vakum të rrezikshëm sigurie” në Veri të Kosovës, pasi përfaqësuesit e serbëve filluan bojkotimin e institucioneve të Kosovës në nëntor të vitit 2022.
“Ajo qasje politike e dorëzimit inkurajoi Beogradin dhe hapi hapësirë që situata të përshkallëzohej në mënyrë dramatike, nga braktisja e institucioneve një vit më parë. Lëvizja e Beogradit, urdhri i presidentit serb Aleksandër Vuçiç për serbët në Veri që të largohen nga institucionet e Kosovës, me premtimin e rremë se do të jetë një lëvizje drejt shkëputjes, pra aneksimit të veriut në Serbia, është një humbje e madhe, dëm për dialogun politik”, tha Weber.
Përveç lejimit të serbëve të largohen nga institucionet, “gabimi i dytë më i madh i Perëndimit” sipas Webrit dhe negociatorëve të BE-së ishte se vazhduan negociatat dhe njoftuan se ishin arritur marrëveshje në Bruksel dhe Ohër, pa zgjidhur çështjen e kthimit të serbët tek institucionet.
“Domethënë pa riparuar fillimisht dëmin që u shkaktua nga negociata të tilla. Është një simulim i jashtëzakonshëm i progresit në dialog kur dy marrëveshjet (nga Brukseli dhe Ohri) flasin për detyrimin për zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, ndërsa braktisja e institucioneve në fakt anuloi zbatimin e marrëveshjes së prillit”, shtoi ai.
“Fakti që Vuçiçit iu dha mundësia për të imponuar çështjen e komunitetit si prioritet numër një në dialog, në fakt dëshmon qasjen e gabuar”.