Propozimet e një grupi deputetësh për ndryshim të modelit zgjedhor dhe për lista të hapura janë në procedurë kuvendore. Por, mendoj se në ndryshime të këtilla të legjislaturës zgjedhore nuk duhet të hyhet në muajt e fundit të punës së Parlamentit dhe pa konsensus të arritur politik, deklaroi sot kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Ai shton se nga grupi i deputetëve si propozues të autorizuar në Kuvend janë parashtruar dy propozime për ndryshime të Kodit zgjedhor, njëri lidhur me modelin dhe njëri për lista të hapura dhe sipas procedurës ato mund të gjenden në rend dite të cilës do nga mbledhjet e ardhshme.
“Por, mendoj se pa konsensus të përgjithshëm nuk do të duhej të hyhej në një projekt të tillë. Zakonisht, projekte të tilla nuk realizohen në muajt e fundit të punës së Kuvendit sepse ndryshimi kërkon edhe ndryshime adekuate në model dhe në aktivitete të institucioneve të tjera. Në atë kontekst, mendoj se nuk do të duhej të hyhej në ndryshime”, tha Xhaferi.
Nëse hyhet në ndryshime të tilla, shtoi kryetari i Kuvendit, kjo duhet të jetë në fillim të mandatit të përbërjes kuvendore, me qëllim, siç tha, të mund të lihet hapësirë he mundësi që institucionet e tjera të mund t’i zbatojnë dispozitat nga ato ndryshime.
Ai në takimin e sotëm me gazetarët theksoi se tani për tani nuk ka kurfarë paralajmërimesh për shtyrje të zgjedhjeve. Siç sqaroi, më 2 apo 3 janar duhet të mbahet mbledhje për zgjedhje të Qeverisë së re teknike në 100 ditë para zgjedhjeve, ndërkaq tashmë më 30 apo 31 dhjetor të ketë, siç tha, sinjale të caktuara për anëtarë të asaj Qeverie të re teknike.