E martë, 3 Dhjetor, 2024
8.8 C
Skopje

Xhaferi nuk ndryshon itinerarin e Qeverisë!

Kryeministri i ri tha se integrimi evropian nuk ka alternativë për vendin tonë dhe se mbetet në fokus të qeverisë anëtarësimi në BE deri në vitin 2030. Xhaferi gjithashtu si prioritet i kësaj qeverie do të jenë edhe për reformat ekonomike në vend, sundimin e ligjit dhe rritja e standardit jetësor në vend

 

Zenel MIFTARI

Shkup, 29 janar – Me pranim-dorëzimin e detyrës ndërmjet tanimë ish kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kryeministrit teknik, Talat Xhaferi, dje në Ilindenska numër 2 filloi dita e parë e punës e qeverisë teknike për zbatimin e zgjedhjeve parlamentare. Kovaçevski tha se koalicioni evropian edhe në qeverinë e re do të jetë shtyllë për integrimin e vendit në BE. Ai i dëshiroi suksese kryeministrit të ri dhe kabinetit të tij në detyra e reja.

“I bëj thirrje Qeverisë dhe të gjithëve në të, pavarësisht nga përkatësia partiake, të punojnë në interes të qytetarëve, ekonomisë, sigurisë dhe stabilitetit. Qeveria arriti të krijojë një sistem që funksionon në kohë krize, politikat janë të përcaktuara, masat janë të qarta, pres që të gjithë të tregojnë një vullnet të qartë politik për të mbështetur dhe ruajtur stabilitetin ekonomik dhe politik dhe për të kryer një mënyrë paqësore, të drejtë dhe demokratike zgjedhjet ashtu siç i takon një shteti anëtar të NATO-s dhe një shteti që ka filluar negociatat me BE-në”, theksoi Kovaçevski.

Nga ana tjetër, Talat Xhaferi gjatë marrjes së detyrës tha se gjatë qeverisë së tij vendi do të udhëhiqet sipas ligjeve dhe kushtetutës. Mes tjerash tha se detyra primare e kësaj qeverie është organizmi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare fer dhe demokratike.

“Qeveria në bashkëpunim me Kuvendin, KSHZ-në, OSBE-ODIHR, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të zbatojë të gjitha parakushtet operacionale duke mundësuar që zgjedhjet të zhvillohen me ligjshmëri të plotë, legjitimitet dhe pranim konsensual të vullnetit të qytetarëve, Mbajtja dhe avancimi i partneritetit strategjike të RMV-së me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë prioritet i kësaj qeverie”, u shpreh Xhaferi.

Kryeministri i ri tha se integrimi evropian nuk ka alternativë për vendin tonë dhe se mbetet në fokus të qeverisë anëtarësimi në BE deri në vitin 2030. Xhaferi gjithashtu si prioritet i kësaj qeverie do të jenë edhe për reformat ekonomike në vend, sundimin e ligjit dhe rritja e standardit jetësor në vend.

Ndërkaq, njohësit e proceseve politike deklarojnë se Qeveria teknike nuk është aq e kufizuar sa proklamohet në opinion dhe sferën publike. Ata thonë se Xhaferi po edhe kjo Qeveri do të përfaqësojë Maqedoninë e Veriut në skenën rajonale por edhe atë ndërkombëtare.

“Megjithatë nuk është gjithçka zgjedhjet sepse kryeministri do të përfaqësoj Maqedoninë e Veriut në takime të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare, prandaj nuk mendoj se kjo Qeveri do te merret ekskluzivisht vetëm me organizimin e zgjedhjeve por do të ushtrojë pushtetin siç e kanë ushtruar edhe Qeveritë e tjera të ashtuquajtura teknike. Vërehet një tendence e relativizmit të funksionit të Qeverisë teknike dhe kjo bëhet për qëllime politike sepse sikur të ishte kaq e parëndësishme në vitin 2016 nuk do të negociohej për javë të tëra për të ardhur deri te kompromisi për Qeveri parazgjedhore gjegjësisht 100 ditë para zgjedhjeve të kemi Qeveri gjithëpërfshirëse”, deklaron për KOHA, Blerim Hyseni, analist.

Ndryshe, për shkak të përkatësisë etnike të kryeministrit të zgjedhur, ngjarjes iu atribuuan dimensione historike për shqiptarët në Maqedoni, me eufori që tërhoqi shumë vëmendje mediatike në rajon, veçanërisht në Kosovë dhe Shqipëri. Ditën historike e përcollën mediat nga shtëpia e Xhaferit, ardhja e tij në parlament, zgjedhjet në Parlament, festimi i zyrës me bashkëpartiakë nga BDI, deri te pjesëmarrja e tij në debatin televiziv. Në një video të atmosferës festive shihet edhe kravata e Ali Ahmetit, në brendësi të së cilës shkruhej “Kryeministri shqiptar 28.01.2024”.

Euroambasadori David Gir e ka uruar dje Xhaferin për zgjedhjen e tij me një njoftim në platformën “X”. “Urime Xhaferit për zgjedhjen e tij kryeministër. Presim bashkëpunim të ngushtë me të dhe Qeverinë e re në këtë moment të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së”, ka shkruar Gir.

 

HISTORIA PO PËRSËRITET

Nga Lidhja Evropiane për Ndryshim përmes një kumtese kanë reaguar pas zgjedhjes së kryeministrit teknik shqiptar në Maqedoninë e Veriut.  Nga opozita shqiptare emërimin e Talat Xhaferit për kryeministër teknik në Maqedoninë e Veriut e krahasojnë me emërimin e Vullnet Starovën për kryetar të Kuvendit të Republikës Socialiste të Maqedonisë dhe emërimin e Sinan Hasanit për President të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. “Emërimi i Vullnet Starovës ishte në të njëjtën vijë dhe me të njëjtin motiv sikur emërimi i Sinan Hasanit në vitin 1986 për President të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Në dy rastet, abuzohej formaliteti etnik për të mohuar, ndëshkuar, poshtëruar dhe përbuzë frymën dhe substancën kombëtare shqiptare në ish-federatën Jugosllave dhe ish-republikën socialiste të Maqedonisë. Emërimi i Sinan Hasanit dhe Vullnet Starovës nuk ndaloj përndjekjen e egër të shqiptarëve, por përkundrazi i dha krah dhe fuqi frymës më shovene anti-shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni. Në kohën e Sinan Hasanit ndodhën sulmet më brutale të njësive policoro-ushtarake serbe në Kosovë para shpërbërjes së Jugosllavisë, në Maqedoni në kohën e Vullnet Starovës ndodhën torturat më mizore kundër rinisë në Kumanovë, ndodhi vrasja mizore e Nuredin Nuredinit në mbrojtje të shtëpisë së tij në Haraçinë, ndodhi përndjekja e egër e intelektualëve, arsimtarëve, studentëve shqiptar. Tridhjetë vite më vonë, qëndrojmë sy më sy me të vërtetën se ata që harrojnë të kaluarën, rrezikojnë që e njëjta t’ju përsëritet. Sot, e kaluara e dhimbshme po na përsëritet – si reprizë për të moshuarit dhe risi për të rinjtë – në formën e lulëzimit të instalimit të figurinave, formave shqiptare për të kamufluar, heshtur dhe frikësuar substancën kombëtare. Dukuria e instalimit të pro-forma liderëve shqiptarë për një përdorim tani kaplon edhe Maqedoninë e Veriut, në formën e instalimit të Talat Xhaferit si Kryeministër i BDI-së por për ta reklamuar si Kryeministër i parë shqiptar”, thonë nga LEN.

Nga atje shtojnë se ashtu siç nuk kishte asgjë historike në instalimin e Vullnet Starovës dhe Sinan Hasanit në vitin 1986, ashtu nuk do ketë asgjë historike në ceremoninë e instalimit të figurës teknike shqiptare të Talat Xhaferit.

 

KOSOVA URON XHAFERIN

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka uruar sukses Xhaferit në detyrën e tij të re – kryeministër i një qeverie teknike, e cila pas tre muajsh do të udhëheqë vendin fqinj dhe partner në zgjedhje. Ai shprehu shpresën se miqësia dhe koordinimi për projekte të përbashkëta do të jetë shenjë dalluese e dy qeverive gjatë mandatit të Xhaferit. “Një Maqedoni e Veriut me orientim të fortë euroatlantik, partnere e Prishtinës dhe e perëndimit dhe sa më larg Moskës e fijeve të saj, një Maqedoni e Veriut që promovon vlerat e bashkëjetesës dhe lufton diskriminimin etnik, është ajo që dëshirojmë. Për këto synime e për plot bashkëpunime të tjera, jam i sigurt se do të vazhdojmë rrugën e bashkëpunimit ndërqeveritar edhe me homologun z.Xhaferi, ashtu siç ka ndodhur edhe me paraardhësin e tij, z. Kovaçevski, të cilin e përgëzoj për vlerat që reflektoi gjatë drejtimit të tij”, ka shkruar Kurti. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke uruar zgjedhjen e Xhaferit, theksoi se ajo “shënon një moment historik të rëndësishëm për mbarë komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke reflektuar kontributin e tij jetik për shtetësinë e vendit dhe rrugën drejt integrimeve euroatlantike”. Ajo i ka uruar suksese Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Maqedonisë. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm