Shkup, 8 nëntor – Gjykatësit e sistemin juridik të Maqedonisë nuk janë krejt të partizuar apo të korruptuar. Në mesin e gjykatësve dhe prokurorëve, sipas ekspertëve juridik, ekzistojnë profesionistë të dalluar, të cilët detyrat e tyre i kryejnë në përputhshmëri me dispozitat e parapara në Kushtetutë dhe aktet tjera nënligjore. Por, sipas tyre emërtimi i pjesës dërmuese të gjykatësve që bëhet përmes vijave partiake, ka ndikuar që juristët e ndershëm dhe profesionistët të mbesin në hije. Dy rastet e fundit, që lanë gjurmë në sferën e gjyqësorit, gjegjësisht urdhëresa gjyqësore e Gjykatës Penale në Shkup dhënë Prokurorisë Speciale Publike për t’u futur në zyrat e shërbimit sekret dhe kallëzimi penal i gjykatësit Ivan Xholev ndaj një kolegut të tij, sipas ekspertëve juridik, janë dëshmi se në mesin e 650 gjykatësve, ka edhe të atillë që nuk ndikohen nga presionet politike. Profesori universitar Osman Kadriu, duke i komentuar këto zhvillime, thotë se problematika e gjyqësorit në Maqedoni është e njohur për opinionin më të gjerë. Situatën e mjerueshme ai e ndërlidh me politizimin e skajshëm të pozitës së prokurorëve dhe gjykatësve, ndërsa potencon se në përbërjen aktuale të gjykatësve ekzistojnë profesionistë të dalluar, qoftë maqedonas apo edhe shqiptarë. “Ne nuk kemi njohuri se cili është arsyetimi i kallëzimit penal të ngritur nga gjykatësi në fjalë, megjithatë kjo tregon se në gjyqësorin e Maqedonisë ekziston kategori e gjykatësve që mund t’i bëjnë reformat e kërkuara thelbësore. Përkrah gjykatësve profesionistë, fatkeqësisht në Maqedoni ka edhe të tillë që nuk duhet të lejohen të kalojnë përreth godinave të gjyqësorit apo prokurorisë, e mos të flasim për ushtrimin e ndonjërit prej këtyre dy profesioneve të rëndësishme për sundimin e ligjit”, thotë… (më gjerësisht në numrin e nesërm të gazetës KOHA)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.