Cristiano Ronaldo mbërriti tek Al-Nassr në fund të vitit 2022; Neymar e imitoi atë verën e kaluar, duke u bërë goditja e madhe e transferimeve të Al-Hilal. Dy super nënshkrime si pjesë e një fushate transferimesh të bujshme nga klubet e Arabisë Saudite. Ose të paktën, kjo është ndjenja e zakonshme.
Sipas Saed Al-Laziz, nënkryetar i bordit të Ligës Pro Saudite, situata është ndryshe: Al-Nassr dhe Al-Hilal nuk paguan asnjë cent për të nënshkruar me Ronaldon dhe Neymar.
“Al-Nassr nuk shpenzoi asgjë për të blerë Ronaldon, – janë fjalët e Al-Laziz për programin saudit ‘Kora Rotana’. – Ishte programi i rekrutimit të Ligës Pro Saudite, përgjegjës për ardhjen e portugezit dhe për pagesën e tij.
Cristiano Ronaldo nuk ka qenë asnjëherë në negociata me Al-Hilal, por vetëm me Al-Nassr”. “E njëjta gjë, – shtoi Al-Laziz, – ndodhi me Neymar tek Al-Hilal dhe me Brozovic tek Al-Nassr”.
Edhe mesfushori brazilian dhe ai kroat, të ardhur përkatësisht nga PSG dhe Interi, nuk i kushtuan asgjë arkës së klubeve të tyre të reja.
Të hënën, më 20 nëntor, Al-Laziz do të zbulojë detaje të reja të tregut. Ai do të flasë për rastin Neymar, me zëvendësimin e mundshëm të brazilianit, pas dëmtimit të pësuar javët e fundit dhe negociatat mes Al-Hilal dhe Kylian Mbappé, të cilat përfunduan në ngërç.