Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi sot se është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen për mineralet dhe sigurinë me SHBA-në dhe të punojë nën “udhëheqjen e fortë” të presidentit Donald Tramp.
Megjithëse ai pranoi se takimi i tij me presidentin Donald Tramp “nuk shkoi siç ishte planifikuar”, Zelenski përsëriti përkushtimin e Ukrainës për paqen dhe vlerësoi Trampin për sigurimin e ushtrisë ukrainase me raketa “Xhavelin”.
Zelenski në Platformën X deklaroi se “do të doja të ritheksoja angazhimin e Ukrainës për paqen. Askush nga ne nuk dëshiron luftë të pafund. Ukraina është e gatshme të ulet në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur për t’iu afruar një paqeje të qëndrueshme. Askush nuk dëshiron paqe më shumë se ukrainasit. Ekipi im dhe unë jemi gati të punojmë nën udhëheqjen e fortë të presidentit Tramp për të arritur një paqe që do të zgjasë.
“Ne jemi të gatshëm të punojmë shpejt për t’i dhënë fund luftës dhe hapat e parë mund të jenë lirimi i të burgosurve dhe një armëpushim në ajër – ndalim i raketave, dronëve me rreze të gjatë, bombave energjetike dhe infrastrukturës tjetër civile – dhe një armëpushim i menjëhershëm në det, nëse Rusia bën të njëjtën gjë. Pastaj duam të kalojmë shpejt nëpër të gjitha fazat e ardhshme dhe të punojmë me SHBA-në për të arritur një marrëveshje të fortë përfundimtare”, shkroi Zelenski, duke shtuar se ukrainasit e vlerësojnë vërtet ndihmën që kanë marrë nga Amerika.
“Me të vërtet e vlerësojmë atë që Amerika ka bërë për të ndihmuar Ukrainën të ruajë sovranitetin dhe pavarësinë e saj. Dhe e kujtojmë momentin kur situata ndryshoi kur presidenti Tramp ia dha Ukrainës raketat “Xhavelin”. Ne jemi mirënjohës për këtë”.
Takimi ynë në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë të premten, nuk shkoi siç ishte planifikuar. Na vjen keq që ndodhi ashtu. Është koha për të rregulluar gjërat. Do të donim që bashkëpunimi dhe komunikimi i ardhshëm të jetë konstruktiv”, shtoi ai.
Sa i përket marrëveshjes për mineralet dhe sigurinë, Ukraina është e gatshme ta nënshkruajë atë në çdo kohë dhe në çdo format të përshtatshëm. Ne e shohim këtë marrëveshje si një hap drejt një sigurie më të madhe dhe garancive solide të sigurisë dhe sinqerisht shpresoj se ajo do të funksionojë në mënyrë efektive”, shkroi presidenti ukrainas në X në reagimin e tij fillestar ndaj pezullimit të dërgesave të armëve amerikane në vendin e tij.