Chelsea fitoi 1-3 përballë Aston Villa, duke rigjetur 3 pikët në Premier League pas dy javësh me barazime. Romelu Lukaku dhe dy penallti të sakta të Jorginhos, vulosën triumfin me përmbysje të “Bluve të Londrës”.
Ekipi londinez renditet në vend të tretë në kampionat me 6 pikë më pak se Manchester City kryesues, teksa Thomas Tuchel nuk arrin ta kuptojë se pse në ishull nuk po pranojnë që ekipet të bëjnë nga pesë zëvendësime.
“Reaguam në mënyrë të shkëlqyer pas avantazhit të Aston Villa. Autogoli na i komplikoi shumë gjërat, por më pëlqeu shumë reagimi i djemve. U mbrojtëm mirë dhe nuk u lamë hapësira kundërshtarëve.
Ishte një fitore e merituar që erdhi falë punës së madhe që bëmë”, deklaroi trajneri gjerman për BBC Sport, aty ku protestoi edhe në lidhje me rregullin e zëvendësimeve.
“Duhet aplikuar edhe në Angli rregulli i pesë zëvendësimeve, por nuk besoj se do të ndodhë… Jemi i vetmi kampionat që luajmë në dimër, unë e adhuroj këtë gjë, por duke bërë kështu nuk po i mbrojmë fare lojtarët.
Të gjithë Ligat e tjera kanë pesë zëvendësime, mos harroni që ne do përballemi me këta kundërshtarë në Champions League, kështu që është disi zhgënjyese”, deklaroi trajneri i Chelsea.