Partia Demokratike e Kosovës ka nisur zyrtarisht fushatën elektorale për Zgjedhjet e Përgjithshme, para mijëra simpatizantëve dhe përkrahësve partiak
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi para të pranishmëve tha se Bedri Hamza është Kryeministri ma i mirë që mund ta ketë sot Kosova.
“Sot qëndroj para jush për t’ju siguruar se ne ofrojmë një plan konkret, një program të detajuar dhe gjithëpërfshirës, realist dhe të realizueshëm, i cili do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë. Për ta bërë Kosovën ma të fortë! Për ta bërë Kosovën ma të mirë! Kjo është arsyeja pse zgjodhëm Bedri Hamzën që të na prijë në këto zgjedhje, sepse Kosovës i duhen aftësitë, përvoja dhe personaliteti i Bedriut për të materializuar planin tonë transformues”, theksoi Krasniqi.
Ndërkaq, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza duke falënderuar të pranishmit dhe të gjithë qytetarët për mbështetjen, është zotuar për rritje të pagave dhe pensioneve, zhvillim ekonomik, siguri energjetike, sigurime shëndetësore, arsim cilësor, si dhe kultivimin e raporteve të mira me aleatëve.
“Kemi shumë shembuj të qytetarëve që e kanë vendosur Kosovën të parën. E kanë vendosur Kosovën edhe para vetes. Gjatë kësaj fushate, kam pasur nderin të takoj shumë heronj të përditshmërisë tonë. Kam takuar burra, që me duar të plasaritura sigurojnë bukën e përditshme. Nëna që me forcë të pashtershme i mbajnë familjet. Kam takuar të rinj të talentuar, gjithandej Kosovës, të cilët me energji të madhe punojnë për një të ardhme ma të mirë. Janë këta njerëz, forca e heshtur e Kosovës, ata që më inspirojnë. Ata më bindin se mund ta ndërtojmë një Kosovë, ku çdo sakrificë shpërblehet. Ky vizion për një Kosovë ma të mirë, ku secili qytetar përparon, nuk është një ëndërr. Është premtim. Një premtim për çdo familje, çdo të ri e të re, çdo të moshuar, që do të punoj pa u ndalur për t’ua përmirësuar mirëqenien në shtetin tonë. Po, Kosova mundet ma mirë”, tha Hamza.
Edhe LDK ka nisur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit me një tubim madhështor në Kryeqytet. Në prani të mijëra simpatizantëve dhe mbështetësve, kryetari i partisë dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, thirri për “ngritje të shpresës.”
“Fitorja e madhe tashmë ka nisur! Prandaj, ju them të bëheni gati! Ngriteni zërin, të përvilni mangët, ngrini shpresën për të nesërmen dhe rrugën plot dritë përpara! Ju erdhët. Ju dëgjuat. Shpërndajeni tani këtë lajm në çdo anë të Kosovës. Në çdo rrugë e rrugicë, në çdo lagje në çdo shtëpi, në çdo anë të Republikës.” – tha kreu i LDK-së.
Ai bëri thirrje për unitet dhe përkushtim ndaj së ardhmes, duke theksuar se LDK-ja është gati të marrë përgjegjësitë e qeverisjes dhe t’i prijë vendit drejt zhvillimit.
“Aty ku gjeni sharje, urrejtje e ankim për të shkuarën, jepni vullnet, shpresë e vizion për të ardhmen. Ankesat e frustrimin ua lëmë të frustruarve, punën e të ardhmen e bartim ne. Aty ku gjeni ndarje, urrejtje e përçarje, jepuni dorën e zgjatur për përbashkim! Jepuni dy gishta të ngritur lart me plot krenari!” – deklaroi Abdixhiku.