Edon Zhegrova është i vendosur për t’u larguar nga kampionati francez në këtë muaj. Ylli kosovar dëshiron të transferohet në Itali, aty ku interesimin më të madh për të e ka shfaqur Napoli. Për këtë siguron mediumi italian “Corriere dello Sport”, i cili ia kushtoi një shkrim yllit kosovar dhe situatës së tij aktuale me Lillen dhe me Napolin.
“Lille nuk është i hapur sa i përket shitjes së Edon Zhegrovës në janar”, shkruan fillimisht mediumi italian. “Mirëpo, lojtari e ka një dëshirë të çmendur për t’u transferuar në Napoli. 25 vjeçari dëshiron të largohet nga Ligue 1 dhe nga klubi i tij. Mundësia për t’iu bashkuar kapitenit dhe shokut të tij tek Kosova, Amir Rrahmani, e ngrit dëshirën e tij dhe e tundon atë jo pak për të përfunduar në Napoli. Por, fakti se është majtak e ka disavantazhin e tij, ndonëse Manna (drejtori sportiv) e vlerëson shumë. Çmimi i përballueshëm: 25-30 milionë euro”, shkruan “Corriere dello Sport”.
Priten risi në ditët në vazhdim. Për momentin duket një marrëveshje paksa e vështirë për të shkuar deri në fund, por të shohim… Ish-futbollisti i Baselit i ka shënuar 8 gola në këtë sezon, 4 në Ligën e Kampionëve dhe 4 në Ligue 1.
Gjithashtu, i ka dhuruar edhe dy asistime. Kartoni i tij, në bazë të faqes së specializuar “Transfermarkt” vlen 25 milionë euro. Së fundmi, nga Napoli u largua Khvicha Kvaratskhelia, ndërsa Zhegrova shihet si zëvendësues i tij. Krahas përfaqësuesit kosovar, në listën e trajnerit Antonio Conte janë edhe Federico Chiesa dhe Hakim Ziyech.