E premte, 14 Shkurt, 2025
7.8 C
Skopje

Zjarrfikësit më të ekspozuar ndaj kancerit

Krahas rreziqeve shëndetësore, zjarrfikësit përballen edhe me pamje aspak të këndshme gjatë intervenimeve në vendngjarje, të cilët më pas reflektohen edhe në aspektin psikik të tyre, prandaj kërkohet që në njësitë e zjarrfikësve të angazhohen psikolog që do të punojnë me ta

Urim HASIPI

Tetovë, 4 shkurt – Krahas rrezikut për të marrë lëndime trupore gjatë intervenimeve, zjarrfikësit janë të ekspozuar edhe ndaj rrezikut nga materialet dhe lëndët e rrezikshme kimike, të cilët janë shkaktarët kryesorë të llojeve të ndryshme të kancereve. Prandaj, edhe muaji janar njihet se muaji i ndërgjegjësimit për kancerin tek zjarrfikësit. Në këtë drejtim, zjarrfikësit kanë 442 për qind më shumë gjasa të preken nga disa lloje të kancerit sesa pjesa tjetër e popullsisë. Këtij rreziku nuk i shmangen dot as zjarrfikësit e Tetovës, të cilët brenda ditës kanë tre intervenime, kryesisht në shuarjen e zjarreve. Krahas kësaj, të paktën brenda pesë viteve duhet që të ndërrohen teshat e tyre, sepse të njëjtat janë kancerogjene pas pesë vitesh përdorimi. Hyrja në vende të rrezikshme jo rrallë herë kalon pa pasoja.

“Dihet se zjarrfikësit hyjnë në vende ku ka shumë tym, por hyrja jonë në ato vende asnjëherë nuk mund të parashikohet se me çfarë tymi ose lëndë të rrezikshme do të përballemi. Prandaj, zjarrfikësit kanë pajisjet e veta mbrojtëse në çdo lloj intervenimi. Krahas kësaj, ne dy herë në javë shfrytëzojnë pishinën e qytetit, ndërsa kemi edhe palestrën tonë ku kryejnë trajnimet fizike tona ditore”, deklaroi Avni Ameti, komandant i Njësisë së Zjarrfikësve në Tetovë. Vetëm dy vitet e fundit kishim tre zjarre tejet të rrezikshme, ku zjarrfikësit ishin të ekspozuar ndaj lëndëve të rrezikshme për shëndetin e tyre, tregon Ameti. Pas këtyre zjarreve të mëdha që ishin në Tetovë, zjarrfikësit ishin në kontroll mjekësor në Spitalin e Mushkërive në fshatin Leshkë, ku u janë nënshtruar kontrolleve.

“Pasi kishim tre apo katër zjarre të mëdha ku është djegur edhe material i rrezikshëm, në ato raste, bashkërisht me komunën kemi pasur kontrolle mjekësore në Spitalin e Mushkërive në fshatin Leshkë, ku secili zjarrfikës i është nënshtruar kontrollimit të organeve të frymëmarrjes. Prandaj, pas çdo intervenimi me përmasa më të mëdha, është e patjetërsueshme t’iu nënshtrohen kontrolleve të kësaj natyre”, theksoi Ameti.

Krahas rreziqeve shëndetësore, zjarrfikësit përballen edhe me pamje aspak të këndshme gjatë intervenimeve në vendngjarje, të cilët më pas reflektohen edhe në aspektin psikik të tyre, prandaj kërkohet që në njësitë e zjarrfikësve të angazhohen psikolog që do të punojnë me ta.

“Ne përballemi direkt me të lënduarin dhe me viktimën, kështu që zjarrfikësit kanë nevojë edhe për psikolog dhe shteti duhet që ta mendojë seriozisht që në secilin stacion të zjarrfikësve të ketë mjek që do të punojnë me zjarrfikësit që mos kenë pasoja në aspektin mendor”, tha Avni Ameti, komandant i Njësisë së Zjarrfikësve në Tetovë. Në ndërkohë, në vend ende nuk ka një vetëdijesim institucional që të mbahen punëtori dhe panele diskutimi kushtuar shëndetit mental të zjarrfikësve. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm