E diel, 20 Prill, 2025
17.8 C
Skopje

ZYRAT DHE SPORTELET VLOJNË NGA ANKESAT! Raporti për liritë i Avokatit të Popullit

Avokati i Popullit ka evidentuar mbi 2700 ankesa, ku numri më i madh (mbi 37 për qind) i referohen shkeljeve të të drejtave nga shërbimet dhe institucionet publike, mbi 31 për qind (859 parashtresa) shkeljeve të të drejtave nga pushteti qendror. Problemet në zyrat e gjendjes civile (408), gjyqësori (360), të drejtat e konsumatorëve (284), të drejtat e fëmijëve janë të parat në listën e ankesave

Evis HALILI

Shkup, 15 prill – Shërbimet publike, institucionet e qeverisjes ekzekutive dhe lokale janë në krye të ankesave për cenimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Raporti i publikuar nga Avokati i Popullit ka evidentuar mbi 2.700 ankesa, ku numri më i madh (mbi 37 për qind) i referohen shkeljeve të të drejtave nga shërbimet dhe institucionet publike, mbi 31 për qind (859 parashtresa) shkeljeve të të drejtave nga pushteti qendror, ndërsa mbi 10 për qind shkeljeve nga autoritetet lokale, e të tjera. Këtë e theksoi kreu i institucionit Naser Ziberi gjatë prezantimit të dokumentit. Përkatësisht parashtresat e qytetarëve kanë të bëjnë me problemet në zyrat e gjendjes civile (408), gjyqësori (360), të drejtat e konsumatorëve (284), të drejtat e fëmijëve (200).

“Një numër i madh i qytetarëve u ankuan për sjellje joprofesionale të punonjësve të policisë, veçanërisht të policisë së trafikut. Gjegjësisht, u theksua se gjatë kryerjes së kontrolleve në komunikacion, punonjësit e policisë sillen në mënyrë joprofesionale, shpeshherë duke iu drejtuar qytetarëve me ton të pahijshëm dhe nervoz. Përveç kësaj, Avokati i popullit veproi edhe sipas parashtresave të qytetarëve të cilët ankoheshin për sjellje joprofesionale dhe të pahijshme të zyrtarëve që punojnë në sportelet e Seksionit të çështjeve civile, në të cilat ai sugjeroi për respektimin e dispozitave të Kodit të etikës për sjelljen e punonjësve të MPB-së”, thuhet në raport. Nga gjithsej 3.148, mbi 400 të trashëguara nga viti 2023, Avokati i Popullit këtë vit ka ngritur procedura për mbi 63 për qind të parashtresave.

“Avokatit të Popullit vërtetoi shkelje dhe i ndërmori të gjitha veprimet ligjore, në 556 raste organet e administratës shtetërore, organet dhe organizatat e tjera me autorizime publike i pranuam intervenimet e Avokatit të Popullit, në 20 për qind raste, në të cilat u konstatua shkelje udhëzimet e Avokatit të Popullit për mënyrën e mënjanimit të tyre nuk u pranuan, kurse për pjesën tjetër AP është në pritje të përgjigjes nga organi kompetent”, thuhet në raport.

Ankesat janë parashtruar nga ana e organizatave ose shoqatave, me vetiniciativë sipas informatave të marra, të tjera anonime, ose nga grupe qytetarësh. Një pjesë e vogël kanë deklaruar përkatësinë etnike, prej të cilëve rreth 25 për qind janë shqiptarë. Sa i takon ndarjes së ankesave sipas përkatësisë etnike pjesa më e madhe e parashtruesve ankohen për cenim të të drejtave në çështje juridike, konsumatorit, pajisje me dokumente. Thuajse gjysma e ankesave vijnë nga Shkupi, të pasuar nga qytetet si Manastiri, Tetova, Kumanova… (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm