1 milion euro për modernizimin e deponisë “Rusino”

Ministri Hoxha tha se nuk kemi më kohë për zgjidhje të pjesshme që nuk zgjidhin asgjë por sistem modern rajonal i mbeturinave do të thotë fundi i deponive të paligjshme dhe një Pollog më i pastër

Urim HASIPI

Gostivar, 19 shkurt – Janë prezantuar pajisjet speciale për deponinë “Rusino” në kuadër të projektit rajonal të menaxhimit të mbeturinave të ngurta. Ky aktivitet është organizuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa investimi është në vlerë prej 1,114,200 euro financohet përmes një kredie nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ministri i Ambientit Jetësor dhe planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha tha se me krijimin e këtij sistemi, më në fund po i japim fund improvizimeve dhe po fillojmë të zgjidhim përgjithmonë problemin që i ka munduar qytetarët e Gostivarit, Tetovës dhe të gjitha vendbanimeve në këtë rajon për dekada të tëra. “Me një kredi të ofruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe me mbështetjen e SECO, WBIF dhe Qeverisë së Suedisë përmes SIDA-s, kemi filluar reformën më të madhe të infrastrukturës në sektorin e mbeturinave. Dhe një nga hapat e parë është pikërisht mekanizimi i ri në vlerë prej mbi 1 milion eurosh, i cili forcon kapacitetin operativ të Rusinos”, tha ministri Hoxha.

Ai më tej tha se nuk kemi më kohë për zgjidhje të pjesshme që nuk zgjidhin asgj por sistem modern rajonal i mbeturinave do të thotë fundi i deponive të paligjshme dhe një Pollog më i pastër. Ndërkohë ambasadori i Zvicrës Kristofer Soner tha se që nga viti 2018 e përkrahin këtë projekt dhe se do të vazhdojnë edhe më tej të mbështesin projekte që kanë të bëjnë me mbeturinat dhe ambient më të pastër.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se investimi në deponinë rajonale Rusino dhe ndërtimi i stacionit transferues në Komunën e Tetovës përfaqësojnë një ndryshim thelbësor në mënyrën se si ne i trajtojmë mbeturinat.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Gostivarit Valbon Limani tha se ky investim përfaqëson një hap konkret drejt përmirësimit të menaxhimit të mbetjeve në komunën tonë. “Për vite me radhë, deponia Rusino ka qenë një sfidë për shkak të fluksit të lartë të mbetjeve dhe kapaciteteve të kufizuara teknike. Me këtë pajisje të re, si dhe me investimet permanente që kemi bërë, rrisim efikasitetin operacional, përmirësojmë kontrollin mjedisor dhe ulim rrezikun e ndotjes së tokës, ujit dhe ajrit”, tha Limani.

Në promovimin e pajisjeve për deponinë “Rusino” foli edhe drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rusino Pollo” Sazan Horvati i cili nënvizoi faktin se këto pajisje do të përmirësojnë dukshëm punën në këtë ndërmarrje sa i përket menaxhimit të mbeturinave. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm