E mërkurë, 29 Tetor, 2025
18.8 C
Skopje

Betejë e ngushtë për të parin e Bogovinës

Fokusi i fushatës së dy kandidatëve për të parin e Komunës së Bogovinës kanë qenë prezantimet e projekteve zhvillimore në imfrastrukturë, arsim, ekologji e kështu me radhë

Urim HASIPI

Tetovë, 29 tetor – Gjithsej 29.088 qytetarë me të drejt vote, të dielën më 2 nëntor do të zgjedhin kryetarin e ardhshëm të Komunës së Bogovinës. Pas përfundimit të parë, kandidati Feti Abazi nga Koalicioni VLEN mori 5295 vota ose 48.83 për qind, ndërsa kandidati për kryetar komune nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Besnik Emshiu mori 5207 vota, ose 48.82 për qind. Dallimi në vota ishte vetëm 88.

Kandidati i koalicionit VLEN, Feti Abazi, thotë se vullneti i qytetarëve për ndryshim duhet të rikonfirmohet edhe në rrethin e dytë të zgjedhjeve që mbahet më 2 nëntor, që përfundimisht të mund ta marrë mandatin e kryetarit të komunës dhe të nisë t’i realizojë projektet që janë pjesë e programit të tij parazgjedhor. Ai u shpreh mirënjohës dhe falënderues për të gjithë qytetarët që morën pjesë në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale më 19 tetor, e sidomos ata që votuan për atë si kandidat për kryetar komune dhe listën e kandidatëve për këshilltarë komunal nga koalicioni VLEN.

“Në Bogovinë veç më ka ndodhur ndryshimi, ne kemi dalë fitues në raundin e parë. Qytetarët e komunës tonë kanë treguar qytetari dhe vetëdije të lartë, edhe përkundër kërcënimeve dhe shantazheve, blerjes së votës, qytetarët kanë treguar se e duan ndryshimin. Lirisht mund të themi se nuk ka kush e ndalë hovin e ndryshimit. Neve na ka ngelur edhe një herë në raundin e dytë ta finalizojmë këtë që e kemi nisur bashkë, me votuesin shqiptar. I ftoj qytetarët që masivisht të na bashkëngjiten edhe në raundin e dytë dhe të bëhemi bashkë për finalizim në betejën tonë që kemi nisur për ndryshim”, tha kandidati i VLEN-it për kryetar të komunës së Bogovinës, Feti Abazi.

Ndërkaq, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për komunën e Bogovinës, Besnik Emshiu, tha se në periudhën e mbetur të fushatës do të fokusohet në promovimin e projekteve të realizuara dhe ato që do të realizohen.

Ai tha se zhvillimin ekonomik lokal, investimi në infrastrukturë moderne, digjitalizimi shërbimeve komunale, investime në shkolla të sigurta, projekte rinore, investime për një komunë të gjelbër dhe të pastër, janë prioritetet e tij.

“Gjatë këtij mandati katërvjeçar janë realizuar shumë projekte, afër 13 janë fituar dhe në mandatin tjetër do t’i hapim thirrjet për ti realizuar këto projekte. Projektet kryesore që i kemi realizuar në Komunën e Bogovinës është salla e sportit që ka qenë kërkesë e kamotshme e banorëve të Bogovinës, pastaj kemi realizuar ujin për pije në Pirok ku është duke u punuar. Gjitha këto projekte që kemi bë gjatë kësaj fushate do mundohemi t’i promovojmë që qytetarët të kenë njohuri për punët që janë bërë”, u shpreh Besnik Emshiu, kandidat i Aleancës Kombëtare për Integrim në komunën e Bogovinës, i cili garon për një mandat të dytë. Ndryshe, në Komunën e Bogovinës gjithsej ka 38 vendvotime. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm