E enjte, 30 Tetor, 2025
1.8 C
Skopje

HARABATI I HARRUAR! Vazhdon rrënimi dhe indiferenca (FOTO)

Në hyrje valëvitet një flamur turk, i vendosur kushedi se prej kujt. Vizitorët janë të paktë, madje edhe këto ditë edhe ceremonitë me rastin e festës së Sulltan Novruzit – 22 Marsit janë zhvilluar në mënyrë modeste, mes anëtarëve të komunitetit… Me ndërtimet pa leje që kanë uzurpuar një pjesë të tokës së saj dhe gjendjen gati-gati drejt rrënimit, kompleksi i teqesë Harabati në Tetovë është në ditët e saj më të këqija

Evis HALILI

Shkup, 26 mars – Me ndërtimet pa leje që kanë uzurpuar një pjesë të tokës së saj dhe gjendjen gati-gati drejt rrënimit, kompleksi i teqesë Harabati në Tetovë është në ditët e saj më të këqija. Dy godinat më të mirëmbajtura aktualisht janë ato ku gjendet selia e komunitetit, si edhe Mejdani, që është kthyer prej disa vitesh në xhami. Pjesa tjetër është në mëshirë të fatit, duke filluar nga godinat si ish muzeu, hoteli, kulla e Fatimesë, një pjesë e mureve rrethuese që janë drejt shkatërrimit, varret e vjetra.., madje edhe varri përkujtimor i Mehmet Derrallës brenda dy viteve është thyer për të disatën herë e është mbushur me mbeturina nga më të ndryshmet.

Heshtja në oborrin e madh të lënë pas dore, prishet nga zhurmat e makinave që i drejtohen ndërtesës pranë tyre, dikur restoranti, i cili me një autorizim nga Myftinia e Tetovës është kthyer në një vend mësim fetar për gratë. Në hyrje valëvitet një flamur turk, i vendosur kushedi se prej kujt. Vizitorët janë të paktë, madje edhe këto ditë edhe ceremonitë me rastin e festës së Sulltan Novruzit – 22 Marsit janë zhvilluar në mënyrë modeste, mes anëtarëve të komunitetit.

NË KËRKIM TË REGJISTRIMIT

Kryetari i komunitetit, Arben Sulejmani, thotë se situata absurde ka ardhur si rrjedhojë e refuzimit të pandërprerë që i është bërë kërkesës së tyre për riregjistrim, shpërfilljes institucionale dhe konflikteve me Bashkësinë Islame. “Situata jonë është e njëjtë me atë të një njeriu që ka lindur në Maqedoni e që nuk merr dot pasaportë. Gjithë kjo luftë nisi kur u desh të riregjistrohemi dhe vazhdon. Pengesat e vazhdueshme dhe pretendimet për pronën tregojnë se janë prekur interesat e palëve të tjera, të cilëve i pengon mes të tjerash edhe fryma e shëndoshë. Vetëm shihni se çfarë po ndodh me varrin e ish ministrit Derrallës që po vandalizohet për kushedi sesa herë”, thotë Sulejmani.

Kërkesa e parë për regjistrim si bashkësi fetare u bë në vitin 1993, regjistrimi në 1998, por pas disa ndryshimeve ligjore u desh të riregjistroheshin sërish. Që nga viti 2007 e deri tani, ata vazhdojnë betejën ligjore. “Jemi në ‘stand by’, madje shteti ka shpërfillur edhe vendimin e Strasburgut të vitit 2012 që na jep ne të drejtë”, thotë Sulejmani.

TEQEJA NË RAPORTIN E DASH-it DHE QNK

Në raportin më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ndër të tjera thuhet se statusi ligjor i KB momentalisht është si grupim fetar dhe mosregjistrimi nuk e pengon grupin fetar të mbajë takime ose të predikojë, por e pengon grupin të angazhohet në aktivitete të caktuara. “KB thanë se si komunitete të paregjistruara, ato vazhduan të përballen me diskriminim dhe frikësim, si mohim të statusit të të liruarit nga taksat, pamundësi për të organizuar shkollat e tyre…KB vazhdoi të kundërshtonte pretendimet e BFI-së për pronësi të plotë dhe planet e saj për të rinovuar me ndihmë turke kompleksin.. Përfaqësuesit e KB vazhduan të shprehin shqetësimin se rinovimi do t’i zhvendoste ata plotësisht nga kompleksi…”, thuhet në Raportin për liritë fetare (maj 201) .

Në fakt projekti restaurues – konservues është thuajse gati, i përgatitur nga ekspertë të Qendrës Nacionale të Konservimit. I premtuar pesë vjet më parë nga TIKA, pas një marrëveshje me Bashkësinë Fetare Islame. Drejtori i QNK, Mehmet Selmani thotë se ata punën e tyre e kanë gati të përfunduar me të gjitha 13 projektet, që zgjatën gati tre vjet.

ARBEN SULEJMANI
Situata jonë është e njëjtë me atë të një njeriu që ka lindur në Maqedoni e që nuk merr dot pasaportë. Gjithë kjo luftë nisi kur u desh të riregjistrohemi dhe vazhdon. Pengesat e vazhdueshme dhe pretendimet për pronën tregojnë se janë prekur interesat e palëve të tjera, të cilëve i pengon mes të tjerash edhe fryma e shëndoshë. Vetëm shihni se çfarë po ndodh me varrin e ish ministrit Derrallës që po vandalizohet për kushedi sesa herë

 

“Projekti restaurues-konservues është në fund. TIKA duhet ta implementojë sipas marrëveshjes. Sa i takon statusit – është monument i kulturës, por fatkeqësisht nuk është i revalorizuar që do të thotë se nuk është i kategorizuar. Plus që edhe vetë Ligji për trashëgiminë, i cili duhet të ndryshojë, është në dëm të monumenteve të tilla që kanë çështje pronësie të pazgjidhura”, thotë Selmani. Por projekti restaurues-konservues ka shanse minimale të vihet në jetë, nëse kontesti pronësor me ish Teteksin, që vazhdon të ketë në pronësi godinat brenda saj nuk do të mbyllet. BFI dhe përfaqësues të Teteks vazhdojnë gjyqet.

MYFTINIA HESHT

Deklaratat e fundit të Myftinisë lidhur me Harabatin u bënë pesë vjet më parë, në mars të vitit 2017, kur deklaruan se rikthyen pronën e shtetëzuar në vitin 1957. Të pyetur për gjendjen aktuale dhe indiferencën gjatë periudhës pesë vjeçare Myftinia ishte e rezervuar në deklarata. Nga Myftinia prej pesë ditësh “Koha” është në pritje të përgjigjes se çfarë po ndodh, duke filluar nga ndërtimet ilegale e lënia në mëshirë të fatit e të gjithë objektit.

Pjesa tjetër është në mëshirë të fatit, duke filluar nga godinat si ish muzeu, hoteli, kulla e Fatimesë, një pjesë e mureve rrethuese që janë drejt shkatërrimit, varret e vjetra.., madje edhe varri përkujtimor i Mehmet Derrallës brenda dy viteve është thyer për të disatën herë e është mbushur me mbeturina nga më të ndryshmet

 

“Një popull që hesht, vdes”, kështu shkruhet në varrin përkujtimor të ish ministrit Derralla, për të cilin Myftinia vitin e kaluar u zotua se do të ndreqë, por ironikisht është në një gjendje akoma edhe më të keqe. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm