Kur ndërron jetë një personalitet i njohur, shumëkush shkruan në portale e rrjete sociale, dhe vetë shumësia e shkrimeve, lë përshtypjen e një teprie. Por, lë edhe një dilemë: a janë të denjë dhe a janë të sinqertë në atë që e shkruajnë
Nga Daut DAUTI
- Për një kohë të shkurtër kaluan në amshim disa figura të njohura të artit, kulturës, medias…dhe siç ndodh zakonisht, dhe siç e do rendi, shkrime pa fund për ta në portale, TV, gazeta, e sidomos në rrjetet sociale. Kur vdes një personalitet siç është Enver Petrovci, ose Artur Zheji e Abdi Baleta, është më se normale që shumë njerëz që kanë pasur me ta afërsi miqësore, kanë qenë kolegë ose thjeshtë, kanë pasur respekt ndaj punës së tyre, që të thonë ndonjë fjalë, të ndajnë ndonjë kujtim të përbashkët, ndonjë vlerësim për punën dhe veprat e tyre.
Kur kjo bëhet në “shumicë”, mund të fitohet edhe ndonjë përshtypje e teprimit, patetikës e madje dhe demagogjisë. Kjo, me një pyetje që edhe nuk është pa sens: përse këso vlerësimesh nuk janë dhënë në të gjallë të tyre?
Për mendimin tim është paksa e sforcuar që të fitohet kjo përshtypje, pasi është më se normale që të flitet afirmativisht dhe me respekt për dikë që kemi njohur dhe që ndërkohë ka ndërruar jetë. Nga moria e figurave të shquara që kanë kaluar në amshim, veçoj rastin e para 15 vitesh, kur ndërroi jetë Bekim Fehmiu, kur rrjetet sociale ende nuk ishin kaq aktive, disa autorë të njohur shkruan për të gjerë e gjatë. Ishte një madhështi artistike dhe një figurë komplekse, që e meritonte çdo rresht. Për një artist, për një shkrimtar, për një sportist, ndonjë profesor, akademik…edhe duhet të shkruhet nga njerëz të penës. Edhe ata njerëz “të rëndomtë”, që kanë ndonjë gjë të përbashkët, ndonjë fotografi me dikë, duket e arsyeshme që ta ndajnë me publikun e gjerë, edhe pse në rrjetet sociale has në shkrime pa fund të cilat duken të ngjashme nga njëri te tjetri “autor”, madje “të lodhshme” për lexuesit, ndaj dhe vjen edhe kjo përshtypja e teprimit, siç e thonë disa.
A ka “instrumentalizim të vdekjes së personave të famshëm”, siç shkruajti publicisti Latif Mustafa me rastin e vdekjes së aktorit Enver Petrovcit, “për qëllime të konsumerizmit digjital dhe për gërryerjen deri në palcë të famës së tij”, që sipas tij “ishte i neveritshëm dhe i poshtër”. Ata që kanë bërë ndonjë postim në rrjetet sociale, nuk do të pajtoheshin me këtë dhe me vlerësimin tjetër se pas kësaj “shpërfaq tendencën e nënvetëdijshme të pronësimit të vdekjes së tjetrit.”. “Nuk të lënë rehat as të vdesësh. Patjetër duan të të marrin, të të gllabërojnë gjithçka, edhe pas frymës tënde të fundit.”, shkruajti në Facebook Latif Mustafa, që në njëfarë mënyre e hap dilemën për masën dhe mënyrën e shënimit të vdekjes së ndokujt. Të gjithë mendojnë se e kanë obligim të thonë ndonjë fjalë miradie për dike që e kanë njohur ose që e kanë pasur shkrimtar a poet të adhuruar apo aktor që ia kanë para filmat ose shfaqjet, po qoftë edhe sikur prej kësaj të marrin një pjesë të famës së një personaliteti të shquar në formën më banale, atë të like-ve.
Përveç në formë, gjërat janë sfiduese për debat edhe në aspektin përmbajtësor, për çka publicisti dhe shkrimtari Shkëlzen Halimi shkruan se “duhet të vdesësh që ta shohësh hipokrizinë në rrethin tonë.” “Vetëm hipokritët, pasi të vdesësh, të tregojnë se sa të kanë “dashur”. Të vajtojnë me lot krokodili. Mjerimi shpirtëror i tyre nuk ka fund, sepse janë të tejdukshëm dhe mund t’i lexosh edhe nëse je i verbër…”, do të shkruajë midis tjerash ai në rrjetin e Facebookut, sigurisht për t’ua adresuar këtë pikërisht shkruesve të rrjeteve sociale.
Ka shumë të vërtetë në këtë që e thotë ai, sepse duke u sjellë në mileun tonë kulturor e medial, mund të thuhet se dihet kush çka mendon për dikë dhe vërtet është hipokrizi kur dikë sheh të shkruajë për atë që në të gjallë ka folur zi e më zi, ose madje të njëjtin ta shohësh se si flet në superlativë gjatë një komemoracioni. Por, lë edhe një dilemë: a janë të denjë dhe a janë të sinqertë në atë që e shkruajnë.
Të flasësh sa më mirë për një të ndjerë, është ndoshta edhe bonton i pashkruar, edhe kulturë komunikimi. Serbët e kanë atë fjalën e tyre “për të vdekurin (të flasësh) sa më mirë”, por që nuk vlen gjithnjë dhe për gjithkënd. Në dy nga tre emrat e përmendur në fillim të këtij shkrimi, ky rregull jo vetëm që është thyer, por dhe është shkuar në ekstremin tjetër. Pas shumë shkrimeve pozitive dhe komemoracionit me pjesëmarrje nga gjithë jeta publike e Shqipërisë, doli për ta prishur gjithë imazhin e gazetarit Artur Zheji, një person jo pak i rëndësishëm, për të prekur që nga jeta private joshembullore e tij(bixhozxhi, baba i një fëmije jashtmartesore…), në planin e pastërtisë së personalitetit publik(abuzues me paratë e taksapaguesve sa ka qenë drejtor në RTSH…)por dhe duke demaskuar në tërësi edhe bagazhin profesional dhe patriotik siç e paraqitën gjithë ata që folën pas vdekjes së tij(duke e akuzuar që i vetmi gazetar shqiptar që ka intervistuar pjesëtarë të “Agimit të artë” dhe këtë e ka bërë për para!). Pra, në rastin konkret, Foto Cici, një prift i njohur ortodoks, oponent i madh i Janullatosi, nga këndvështrimi i tij e hedh poshtë moton që të flitet mirë për të vdekurin: “Duhet qartësuar se urdhëresat shqiptare për të mos folur në vdekje, nuk janë pjesë e traditës së krishterë, nëse pandehni se më ndalohet të flas si prift dhe teolog, por vijnë nga një mendësi e trashëguar dhe vërtet primitive.” Dhe në shkrimet që ia kushtoi Artur Zhejit, ai nuk pati aspak konsideratë që sapo kishte vdekur dhe kur familja dhe mediat ishin në shok të vërtetë. Nëse është e vërtetë e gjithë ajo që shkroi prifti Foto Cici, atëherë bien në ujë gjithë ato që të tjerët kanë thënë për gazetarin e njohur!
Pokështu, përkundër shumë postimeve e shkrimeve afrimative, pati edhe të tillë që nuk e kursyen as Abdi Baletën, diplomat dhe publicist i njohur ndër ne. Akuzat ndaj tij mund të quhen nga dyshimet objektive gjer te diskualifikimet paragjykuese, për shkak se në “diskursin e tij patriotik”, paskan njohur edhe ekstremizëm islamik, neotomanizëm, e çka jo tjetër të kësaj natyre… Përse paragjykuese? Sepse duhet pranuar se në pluralitetin fetar që kemi, na janë shfaqur edhe ekzkluziviteti ndërfetar, kur disa pjesëtarë të një besimi, shprehin haptas animozitet ndaj pesëtarëve të një besimi tjetër, ndaj mund të mos jetë e qartë nëse vlerësimet ndaj tij janë të kësaj natyre. Disa paraqitje të disa individëve apo grupeve, vërtet shkojnë në ekstrem duke cenuar të drejtën e përcaktimit të besimit të çdo njeriu.
Si përfundim i këtyre dilemave, dua të shtoj se nuk ka asgjë të keqe kur shkruhet e flitet afrimativisht për dike menjëherë pas vdekjes, porse si persona publikë me ndikim, sidomos nëse bëhet fjalë për personalitete politike, kurrë nuk është vonë të bëhet vlerësimi objektiv, me gjithë të mirat dhe anët tjera. Sepse nuk ka njeri ideal, nuk ka njeri të pagabueshëm, dhe as vepra të përkryera në mënyrë absolute, që të mos rivlerësohen.
- Ah, fenomeni Tramp! Midis shumë kontraverseve të veprimeve të tij “të paparashkueshme”, që as vetë nuk është në gjendje t’i ndjekë e kontrollojë, së fundmi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, paska shprehur pretendimet e tij për të hyrë në histori: “të gjithë thonë se unë duhet ta marr Çmimin Nobel për Paqe”. Mund dhe ta marrë, pse jo? Nëse Akademia Suedeze do të gjykonte si në rastin e Barak Obamës, që iu nda çmimi ende pa bërë ndonjë gjë si president amerikan(të ndalë ndonjë luftë apo diçka ngjashëm). Ndoshta vendimtare ka qenë pse ishte presidenti i parë amerikan “me ngjyrë”, e jo se përnjëmend kishte bërë “përpjekje të jashtëzakonshme për të forcuar diplomacinë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin mes popujve”.
Ku e panë këtë kontribut pa i bërë as një vit në funksion? Pastaj gjatë dy mandateve të tij, jo se bëri diçka të veçantë për paqen, që dëshmon gjithë absurdin e ndarjes së një çmimi pa bërë diçka konkrete. Ndryshe nga Obama që e mori çmimin pa bërë asgjë, Trampi pretendon se të paktën ka ndalë shtatë luftëra! Mirëpo, edhe sikur ta ketë bërë këtë, ai nuk mund ta meritojë Nobelin për Paqe përderisa nuk e ndal agresionin dhe gjenocidin e Netanjahut ndaj Gazës, gjë të cilën gjithë bota e sheh, e Trampi si duket jo. Vetëm për një ditë, duke pritur ndihma, ushtria izraelite, para dy ditësh, vret 800 civilë! Pa e dënuar dhe pa e ndalë(sepse ka mundësi ta bëjë) gjenocidin në Gazë, çdo çmim për paqe për Trampin do të ishte në duar të gabuara.
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)