E shtunë, 27 Shtator, 2025
13.8 C
Skopje

Tetë raste nën shqyrtim, po hetohen operacionet e panevojshme kardiokirurgjike në spitalet private

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se i pranon seriozisht gjetjet e akademikut dhe kirurgut kardiak Sashko Kedev, i cili njoftoi publikun se operacionet kardiake po kryheshin në disa nga spitalet private të vendit pa arsye të justifikuara nga ana mjekësore, transmeton Portalb.mk.

“Mendimi im për akademikun Kedev dhe gjetjet e tij është se ato janë një tregues kryesor për të ndërmarrë menjëherë hapa dhe për të zbuluar se çfarë është bërë dhe nëse është bërë”, tha Mickoski pasi vizitoi Klinikën Universitare Shtetërore për Kirurgji Kardiake.

Ai theksoi se institucionet nuk do të lënë asgjë në dorë të rastësisë.

“Kur një ekspert i klasit botëror e thotë këtë, duhet të ketë një sfond këtu dhe ne duhet ta zbulojmë atë. Kushdo që është pasuruar në kurriz të qytetarëve dhe shëndetit të tyre do të mbajë përgjegjësi”, tha Mickoski.

Ministria e Shëndetësisë ka formuar tashmë një komision që po punon në tetë raste për të cilat ka dyshime për ndërhyrje të panevojshme. Paralelisht, Oda e Mjekëve po kryen kontrolle ad-hoc të dosjeve të pacientëve, dhe një komision me ekspertë të huaj do të japë rekomandime përfundimtare.

Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, i cili ishte sot me Kryeministrin, tha se nuk do të publikohen informacione të pjesshme, por publiku do të marrë një raport të plotë pasi të përfundojë ekspertiza. Sipas tij, deri më tani janë përfunduar tetë raste, dhe pesë raste të reja janë pranuar nga Fondi i Shëndetësisë.

Para disa javësh kirurgu kardiolog Sashko Kedev në një intervistë me Kanal 77, tha se në disa spitale private kryhen ndërhyrje të panevojshme për fitim, duke përfshirë stentime dhe operacione të panevojshme. Ai nuk përmendi asnjë spital me emër. Pas deklaratës, spitali privat “Acibadem Sistina” i kërkoi atij të specifikonte se për cilin institucion bëjnë fjalë këto pretendime, duke e paralajmëruar se nëse nuk e bën këtë, do të ngrejë padi për shpifje dhe dëmtim të reputacionit.

Pas kësaj Ministria e Shëndetësisë formoi Komisionin e Brendshëm të përbërë nga ekspertë mjekësorë, juristë dhe ekonomistë. Detyra e këtij komisioni është që të konstatojë faktet dhe të veprojë mbi bazë të provave mjekësore, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe rregullave metodologjike të sakta. Gjetjet nga kjo analizë e komisionit të brendshëm do ti dorëzohen komisionit profesional të përbërë nga ekspertë të huaj. (Portalb.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm