Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, mori pjesë në eventin “Gra që frymëzojnë”, i cili bashkoi gra lidere, profesioniste, aktiviste dhe përfaqësuese të institucioneve nga vendi dhe rajoni.
Në fjalimin e tij, ministri Durmishi theksoi se politikat e ministrisë kanë për qëllim krijimin e mundësive reale dhe të matshme për të gjithë qytetarët, me theks të veçantë tek gratë dhe të rinjtë. Ai prezantoi të dhënat nga masat aktive të punësimit për vitin 2025, duke bërë të ditur se deri më tani kanë aplikuar mbi 7.000 qytetarë, prej tyre 2.130 gra. Vetëm në masën për vetëpunësim për personat mbi 29 vjeç kanë aplikuar 811 gra, tek të rinjtë deri në 29 vjeç – 726 gra, ndërsa në masën për bashkim në shoqëri tregtare, 593 gra. Ministri potencoi se Plani Operativ për vitin 2025 është i fokusuar në rezultate konkrete, duke përfshirë tri shtylla kryesore: trajnime për mbi 2.000 persona me profile të ndryshme, praktikë për të rinjtë me shpërblim mujor prej 12.000 denarësh, si dhe mbështetje financiare e mentorim për vetëpunësim.
“Çdo hap që bëjmë është investim tek njeriu. Sidomos tek gruaja. Sepse çdo mundësi për gruan është mundësi për përparimin e shoqërisë”, u shpreh ministri Durmishi.