Analisti politik, Sefer Selimi, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Komunën e Butelit, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për asnjë “lëshim teknik”, por për një marrëveshje të pastër politike mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it.
Sipas Selimit, kushti i marrëveshjes ishte që VLEN të mos nxjerrë kandidat për kryetar komune dhe që në raundin e parë të mbështesin kandidatin e VMRO-DPMNE-së.
“Për të mos u turpëruar para shqiptarëve, e fshehin këtë fakt pas një ‘gabimi teknik’, ndërsa në prapaskenë e thërrasin elektoratin e tyre të votojë ‘kundër BDI-së’. Në realitet nuk ka asnjë lëshim teknik, ka pazar politik dhe nënshtrim ndaj VMRO-s. Shqiptarët e dinë!”, ka deklaruar Selimi.
Ndryshe, në Butel garon vetëm një kandidat shqiptar, prof.dr. Isamedin Azizi dhe dy kandidatë maqedons, LSDM dhe Darko Kostovski i VMRO-së. Kandidati i VLEN-it, Behar Emini u diskualifikua pasi nuk e kishte plotësuar kushtin kryesor, konkretisht adresën e banimit e kishte në Çair ndërsa u kandidua për kryetar të Butelit.