E martë, 30 Shtator, 2025
18.8 C
Skopje

Kujdes kur sheh një iriq “të ngordhur” në ditët e ftohta!

Nëse gjatë muajve të ftohtë sheh një iriq të palëvizshëm, mos e varros dhe mos e hidh në kosh… Shumëkush nuk dëshiron të shohë një kafshë të ngordhur në kopsht apo rrugë, por shpesh mund të jetë një iriq në gjumë dimëror – nga nëntori deri në mars. Zakonisht ata hapin vrima për t’u strehuar, por sot hapësirat e gjelbra, shkurret apo pyjet janë gjithnjë e më të pakta dhe është gjithnjë e më e vështirë të gjejnë një vend të sigurt ku të kalojnë dimrin. Disa futen në kopshtet tona duke kërkuar ngrohtësi e siguri për të fjetur, të tjerë aq të lodhur sa që flenë në vende të pazakonta, si buzë rrugëve apo edhe mbi trotuarë.

Kur janë në gjumë dimëror, rrahjet e zemrës dhe funksionet e trupit u ngadalësohen aq shumë saqë mund të ngatërrohen lehtësisht me një kafshë të vdekur. Nëse sheh një iriq të palëvizshëm, sigurohu që ndodhet në një vend të ngrohtë dhe të sigurt – sepse gjumin mund ta zgjasë deri në pesë muaj. Nëse e gjen në kopsht apo diku pranë rrugës, vendose në një kuti kartoni me pak gjethe ose bar të thatë, në një vend të thatë, të qetë e të sigurt, që të kalojë muajt më të ftohtë. Iriqët janë specie në rrezik zhdukjeje, krejtësisht të padëmshëm dhe shumë të rëndësishëm për ekosistemin tonë.

Ata ushqehen me brumbuj, kërmij, bretkosa, hardhuca, madje edhe me gjarpërinj. Shkatërrojnë edhe fole minjsh, nuk tremben nga bletët apo grerëzat, madje mund të shkatërrojnë një folé grerëzash e të hanë banorët e saj, pa u ndjerë fare nga thumbimet. Shkencëtarët kanë vërejtur se iriqët janë imunë edhe ndaj helmeve të forta, përfshirë pickimet e insekteve – një fenomen që ende nuk është shpjeguar plotësisht. Prandaj, ki kujdes kur sheh një iriq në ditët e ftohta. Të ndihmosh një krijesë kaq të vogël e të brishtë nuk të kushton asgjë, por do të thotë shumë për jetën dhe natyrën tonë.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm