Mbrëmë, Hristijan Mickoski shpërfaqi hapur obsesionin e tij politik për të kontrolluar skenën shqiptare në Maqedoni. Deklarata e tij e fundit, ku flet për “pensionimin politik” të liderit të shqiptarëve, Ali Ahmeti, sipas BDI-së nuk është thjesht një dëshirë personale, por pjesë e një strategjie të rrezikshme për të dobësuar, marginalizuar dhe kontrolluar shqiptarët.
“Vetëm disa ditë më parë, Mickoski deklaroi se qëllimi i këtyre zgjedhjeve është zhdukja e BDI-së nga skena politike. Kështu ai konfirmoi atë që kemi paralajmëruar prej muajsh: ai nuk kërkon vetëm fitore zgjedhore, por dominim mbi shqiptarët dhe kontroll mbi përfaqësimin e tyre”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga kjo parti theksojnë se Mickoski dhe VMRO, kur flasin për “zogj e bilbila”, i referohen vetëm “shqiptarëve të tyre të ndershëm”, ata që janë të nënshtruar dhe të kontrolluar në qeveri. Por, siç thekson BDI, shqiptarët e vërtetë, “shqiponjat e këtij vendi”, nuk mund të mbyllen nën një çati politike dhe nuk mund të shiten për interesa të ngushta.
“Më 19 tetor, shqiptarët do të tregojnë fuqinë dhe vendosmërinë e tyre, duke i dhënë përgjigjen e merituar këtij obsesioni. Kjo platformë ideologjike e rrezikshme, që është vegël e projektit të ‘botës serbe’, synon të imponojë politikanë shqiptarë të dobët dhe të nënshtruar. Por shqiptarët nuk do të heshtin”, nënvizon më tej BDI.
Sipas kësaj partie, VLEN është vetëm instrument i Mickoskit për të kontrolluar skenën politike shqiptare, por shqiptarët, siç thonë ata, do ta refuzojnë këtë projekt.
“BDI ka qenë dhe mbetet zgjedhja e shqiptarëve. Ne kemi qenë gjithmonë adresa e qytetarëve, garantuesi i përfaqësimit të vërtetë dhe të dinjitetshëm. Askush nuk ka të drejtë të vendosë për shqiptarët përveç vetë shqiptarëve”, thekson BDI.
Në fund, kjo parti përsërit se më 19 tetor do të jetë dita kur shqiptarët do të japin përgjigjen e tyre.
“Më 19 tetor, kukullat e Mickoskit në VLEN do të pësojnë disfatën që meritojnë. Shqiponjat do të fluturojnë mbi çdo përpjekje për kontroll dhe zëri i shqiptarëve do të jehojë. Ne nuk do të zhdukemi, nuk do të përulemi dhe nuk do të lejojmë askënd të zgjedhë për ne. BDI është këtu dhe do të mbetet zëri i shqiptarëve për barazi, dinjitet dhe të drejtën për të vendosur vetë për të ardhmen e tyre”.