Ambasadori i Afrikës së Jugut në Francë, Nati Mtetva, është gjetur i vdekur para një hoteli në Paris, publikoi sot zyra e prokurorisë franceze, ndërsa burime të afërta me rastin përmendin se me siguri bëhet fjalë për vetëvrasje.
Sipas njërit prej këtyre burimeve, ambasadori 58-vjeçar ishte në depresion dhe mund të ketë vrarë veten.
Ambasadori, emri i plotë i të cilit është Nkosinati Emanuel Nati Mtetva, ka rezervuar dhomë në katin e 22-të, dritarja e së cilës është hapur me forcë, kumtoi prokuroria.
Trupi i Mtetvës, një mik i ngushtë i ish presidentit të Afrikës së Jugut, Xhejkob Zuma, u zbulua jashtë hotelit dhe gjykatësi në detyrë mbërriti në vendngjarje, shtoi prokuroria.
Zhdukjen e ambasadorit dje e ka raportuar bashkëshortja e tij, e cila tha se mori një mesazh shqetësues prej tij atë mbrëmje, tha zyra e prokurorit.
Mtetva ishte ministër i Artit dhe Kulturës së Republikës së Afrikës së Jugut nga viti 2014 deri në vitin 2019, dhe më pas ministër i Sportit, Arteve dhe Kulturës deri në vitin 2023, citohet në ueb faqen e ambasadës.
Mes viteve 2007 dhe 2022, Mtetva ishte zyrtar i lartë në Kongresin Kombëtar Afrikan (KKA), partia qeveritare pas zgjedhjeve të para demokratike në vitin 1994