Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, dërgoi një mesazh të fuqishëm për kundërshtarët politikë, duke theksuar se një nga motivet kryesore për fushatën e tij të drejtpërdrejtë dhe pa kompromis është pikërisht fakti se është i pavarur nga çdo ndikim. “Mua as nuk mund të më kushtëzojnë, as nuk do të munden ndonjëherë të ndikojnë mbi qëndrimet e mia. Prandaj jam kaq i zëshëm”, deklaroi Osmani.
Ai vlerësoi se pikërisht kjo parimësi e gjallëroi Çairin, se një lumë njerëzish dolën në rrugë për të dërguar mesazh se nuk pranojnë presione, shantazhe dhe frikë. “Prandaj Çairi u shndërrua në lumë para disa ditësh. Kur je në opozitë, njerëzit zakonisht kanë frikë të dalin publikisht. Por njerëzit dolën masivisht për të thënë: ju nuk mund të na shantazhoni dhe të na kërcënoni, pavarësisht gjithçkaje që u bë në shkolla, në kopshte. Njerëzit dolën dhe thanë: duan ndryshim këtu. Dhe këtë mesazh duhet ta marrë edhe Mickoski”, tha Osmani. Në fjalimin e tij para opinionit, Osmani theksoi se mesazhi kryesor i fushatës së tij është dinjiteti dhe barazia për të gjitha komunitetet.
“Respektimi i vullnetit dhe dinjitetit të shqiptarëve këtu është i domosdoshëm për një shtet multietnik stabil”, u shpreh Osmani. Ai informoi se dje ka qenë në terren te komuniteti maqedonas në Çair, me një mesazh të qartë se nuk ka vend për ndarje dhe provokime. “U thashë: mos u shqetësoni. Provokimet që na bën kryeministri nuk do të mund ta kalojnë kufijtë e Çairit. Këtu të gjithë do të jemi të respektuar, këtu të gjithë do të jemi të barabartë”, tha Osmani. Ai paralajmëroi hapa konkretë për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Çairit, sidomos nëse Qeveria vazhdon të rrënojë mekanizmat institucionalë për barazinë etnike.
“Nëse ai e heq balancuesin, unë këtu do të krijoj një fond për përfaqësim të barabartë të komuniteteve. Nëse ma heq gjuhën shqipe, unë këtu do të krijoj një departament për gjuhët e pakicave që jetojnë në komunën e Çairit. Sepse bashkëjetesa është zemra e Çairit, dhe unë do të kujdesem për të, ashtu siç kujdeset njeriu për zemrën e vet”, deklaroi Osmani.