E shtunë, 18 Tetor, 2025
11.8 C
Skopje

Larg politikës, por me të kudo në jetë!

Një aftësi e veçantë e politikanit është, sipas mendimit tim, aftësia për të dhënë konotacione të ndryshme fjalisë: bërtet, gërthet, sokëllin, klith, çirret, ofendon etj. Në këtë kontekst, e rrezikshme dhe e dëmshme është madje edhe jo njerëzore kur një parti politike për një person që nuk është me ta dhe garon si i pavarur, apo emërohet si jopartiak në ndonjë post nga parti tjetër, deklaron se ai është me VMRO-në

Nga prof.Xheladin MURATI

Le ta themi hapur politika kërkon pikësynim, politikani ta ketë të qartë se çfarë do dhe të jetë i gatshëm kudo qoftë të përballet me sfidat dhe të veproj në atë drejtim. Gjithashtu, politikani duhet t ketë më shumë besim te vetja kur gjendet përballë sfidave të përditshme dhe presionit për vendimmarrje. Politika pa vizion është shkurtëpamëse.

PREMISAT PËR SHQYRTIMIN E ÇËSHTJES

– Politika nuk njeh moshë dhe gjini.

– Politika nuk bën dallime në profesion.

– Politika nuk njeh shtresa sociale.

– Politika kërkon njerëz të përgjegjshëm dhe me vetëbesim.

Në fakt, në politikë mund të bësh çdo gjë: të luash futboll në zyrë, të shash, të tradhtosh etj. “Në politikë është e nevojshme të tradhtosh ose vendin, ose elektoratin. Unë parapëlqej të tradhtoj elektoratin”, ka thënë Charl de Gaul.

QASJET DHE ASPEKTET

Në zgjedhjen e njerëzve apo përcaktimin e tyre për të hyrë ose jo në jetën politike kudo qoftë ndikojnë edhe mjaft faktorë, siç janë: statusi i tyre social në rrethanat gjatë të cilave merret vendimi, niveli arsimor, aftësitë e secilit për të vepruar në këtë fushë, niveli i punësimit ose i papunësisë, mungesa e shanseve për të ardhmen, pesimizmi social, gjendja ekonomike e familjes, tradita familjare me politikëmarrje, standardet që shoqëria ka vendosur për trajtimin e politikanëve etj.

Të gjithë këta faktorë formojnë kuadrin dhe profilin e politikanit dhe ndikojnë në krijimin, thellësinë apo cektësinë e politikanit dhe inkuadrimin e tij në politikë.

MOTIVET PËR PJESËMARRJE NË POLITIK

Politika është një pjesë e çmuar qytetare, e dëshmuar dhe kontribuuesja e mirëqenies sociale te të gjitha moshat, por kryesisht rinia dhe mosha e mesme. Në këto rrethana në politikë të gjitha grupimet, të angazhuar në të gëzojnë të mira materiale që sjellë ajo. Pjesëmarrja në politikë, angazhimi në aktivitete politike është bërë edhe modë po edhe mjet ekzistence. Konsiderohen të margjinalizuar apo të huaj ata që tregojnë pasivitet, nga pjesa tjetër e shoqërisë që reflektojnë aktivitete politike, në një apo formë tjetër.

Motivi për angazhimin politik gjithmonë kanë qenë për padrejtësitë në shoqëri, ndaj duhet të flasim, të ngrehim zërin për ata që nuk i kanë këto mundësi, nuk kanë lirinë e të shprehurit, demokracinë, barazinë kombëtare, barazinë ekonomke dhe gjinore dhe që ende përjetojnë shtypje për shkak që i takojnë një pjese të margjinalizuar. Por, unë mendoj që çelësi i angazhimit në politikë është kontributi për zhvillimin e qëndrueshëm shoqëror-ekonomik, krijimin e kushteve të mirëfillta për investime kapitale dhe intelektuale, krijimin e kushteve për ndalesën e shpërnguljes së rinisë dhe kthimin e trurit, hapjen e tregut të punës, zhvillimin e kulturës, arsimit, sportit e të ngjashme.

POLITIKANËT E RINJ PËRBALLË SFIDAVE TË KOHËS

Dhe unë mendoj se gjeneratat e reja duhet të luftojnë për këto të drejta pavarësisht ku jetojnë dhe ku veprojnë. Politika me këtë rast është një histori ndryshe, një profesion i ndryshëm për shoqërinë dhe qytetarët. Pra në politik ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa na ndajnë. Nevoja për të shkruar dhe për të kuptuar këtë proces vendimmarrje mbetet një nga interesat e të gjithë politikanëve, të cilët luftojnë për të mirën kombëtare, për përparimin dhe përmirësimin e gjendjes shoqërore – ekonomike të qytetarëve. Me një trend të këtillë të pjesëmarrjes në politik do të krijohet terreni i përshtatshëm social që barazia në punësime dhe barazia kombëtare e gjinore të shndërrohet në vlerë dhe zakon. Gjithashtu, në parim, njohuritë mbi një çështje politike, mbi një problem ndikojnë që të braktiset mendimi stereotipizues dhe paragjykimet për çështje të rëndësishme kombëtare e sociale dhe të krijohen parakushte për mendimin e mbështetur në fakte.

Sot, realiteti në terren nuk është edhe aq premtues. Analizat tona të shumta tregojnë që një nga problemet themelore, që pengon arritjen e barazisë, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe realizimin e plot të potencialit të shqiptarëve dhe jo vetëm, është kultura dhe e kaluara. Megjithatë, duke analizuar të kaluarën tonë, që është ruajtur mirë në kujtesën tonë, shohim se kemi shembuj ku promovohet roli i politikës në zgjidhjen e problemeve përtej stereotipave ekzistuese.

Besoj që njerëzit që duan të merren me politik, dhe rrjedhimisht tregojnë gatishmëri për kontribut konkret, gjejnë një përmbushje që njerëz të tjerë gjejnë në gjërat që ata duan. Konceptin e të qenët i suksesshëm në politikë mund ta quajmë konstrukt shoqëror. Suksesi për disa është të qenët i lumtur, autoritar, për të tjerët, të qenët i kapur, ndërsa të qenët i zakonshëm mund të jetë suksesi më i madh, apo jo? Mendoj se krijimi i politikës bashkëkohore fillon me të rinjtë. Politikanët e rinj nuk duhet popullin ta konsiderojnë dele, siç ndodh deri tani. Njëra mashtron se do t’i bëjnë evropian e tjetra se do të bëjë ndryshimin.

– të rinjtë duhet të reflektojnë kulturë dhe koncepte politike bashkëkohore dhe kreativitet,

– të ofrojnë platformë frymëzuese për politikëbërje,

– të eksplorojnë botën e brendshme politike,

– liderët politik shqiptarë të bëjnë unifikimin jo ndasitë,

– të ndajnë perspektiva unike politike, dhe

– të shprehin diversitetin politik.

Të rinjtë sot përballen me sfida të shumta, sidomos të rinjtë tanë që veprojnë në shoqërinë multietnike në RMV, duke filluar nga gjendja financiare, liria e lëvizjes në vende tjera, mungesa e një tregu politik për të shprehur konkurrencën e dijes politike dhe aspiratat e synimet politike. Megjithatë mendoj se çdo politikan i ri synon te respekti për politikën, përkushtimi dhe aftësitë komunikueseë lë gjurmë në historinë e madhe të politikës duke i kontribuuar shoqërisë në çfarëdo mënyre.

MADHËSHTIA DHE FORCA E POLITIKËBËRJES

Madhështia dhe forca i japin hov, prirje dhe dëshirë njeriut në përgjithësi dhe rinisë në veçanti në politikëbërje. Politika e cila krijon vlera, koncepte, strategji veprimi është politikë kreative dhe përgjegjëse. Madhështia e politikës duket sidomos në veprimet e njeriut, politikanit për të plotësuar detyrën morale. Dhe e dyta është që njeriu, politikani pavarësisht se kudo ndodhet të bëjë vepra të mëdha dhe përgjithësisht të dobishme për qytetarët, duke treguar guxim, vendosmëri dhe dije, dhe duke kapërcyer të gjitha pengesat në realizimin e politikës zhvillimore, kombëtare, sociale e të ngjashme.

PËRFUNDIM

Me një rend të tillë të komunikimit e dialogimit do të krijohet terreni i përshtatshëm social e politik që politika në shoqëri të ndërron qëndrimet dhe praktikat rreth zgjidhjes së problemeve ndëretnike dhe sigurimin e barazisë kombëtare. Politikëbërja është një proces specifik dhe element thelbësor e i rëndësishëm për komunikimin publik. Megjithatë jo secili mund të merret me politik dhe disa nga faktorët kryesorë për të nisur këtë rrugë janë pikërisht arsimimi, talenti, përkushtimi dhe aftësitë komunikuese. Një aftësi e veçantë e politikanit është sipas mendimit tim aftësia për të dhënë konotacione të ndryshme fjalisë: bërtet, gërthet, sokëllin, klith, çirret, ofendon etj. Në këtë kontekst, e rrezikshme dhe e dëmshme është madje edhe jo njerëzore kur një parti politike për një person që nuk është me ta dhe garon si i pavarur, apo emërohet si jopartiak në ndonjë post nga parti tjetër, deklaron se ai është me VMRO-në. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm