Në debatin televiziv më TV Telma, Bujar Osmani, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për kryetar të Komunës së Çairit, theksoi se kundërkandidati i tij nga koalicioni VLEN dhe ish-nënkryetar i BDI-së, Izet Mexhiti, e ka tradhtuar besimin që i ishte dhënë nga partia për ta udhëhequr Komunën e Çairit.
“Ne i kemi besuar, kemi punuar me të. I kemi dhënë mbështetje deri në vitin 2017. Në zgjedhjet e 2017-ës, Izet Mexhiti nuk duhej të dilte fare në fushatë që të mund t’i fitonim zgjedhjet. Ai nuk mori pjesë aspak në fushatë”, tha Osmani, duke iu referuar kohës kur Mexhiti ishte fshehur nga fushata pas 12 vitesh në krye të komunës së Çairit.
Osmani kujtoi se e njëjta situatë po përsëritet edhe në këtë fushatë.
“Edhe tani nuk e kemi kryetarin aktual të komunës. Pra, ne duhet t’i fshehim kryetarët tanë që të fitojmë zgjedhjet”, theksoi Osmani.
Sipas tij, qytetarët nuk duhet të jenë instrument në lojëra partiake. “Ata meritojnë llogaridhënie, transparencë dhe vizion të qartë – jo kandidatë që fshihen për të mos i kujtuar opinionit publik dështimet e tyre”.