Nga Xhemi HAJREDINI
Njeriu që ngadalëson lëvizjet e zhurmshme, fillon ta dëgjojë më qartë vetveten.
Ka një kohë në jetë kur njeriu ndalon së kërkuari turmën dhe fillon të dëgjojë zërin e vet. Jo pse është lodhur nga të tjerët, por sepse ka mësuar më në fund të dallojë qetësinë nga boshësia. Quajeni si të doni, vetmi, qetësi, pleqëri, stinë e re e jetës… Ajo vjen me tiparet e saj të bukura, pa rrëmujë e me plot kuptim.
Në fillim, mungesat dhe largimet të lëndojnë. Miku që s’bëzan në ditën tënde të vështirë, familjari që s’e gjen dot një fjalë të mirë kur ti ke më shumë nevojë… Plagë të vogla këto që shërohen me kohën… Më vonë e kupton se nuk të kanë tradhtuar, thjesht nuk kanë mundur të jenë aty. Mos e kërko dashurinë sipas nevojës tënde, disa njerëz të duan sipas mundësive të tyre. Në fund të fundit gjithkush ka luftërat e veta.
Të qenurit vetëm ose me më pak miq, në këtë moshë të qetë, nuk është dënim, por një shkollë. Mësohesh të mos presësh shpërblim për të mirat që ke bërë, as edhe mirënjohje për durimin që ke treguar.
Dhe në këtë prehje, fillon të kuptosh se pjekuria nuk është rezultat i viteve, por i paqes me veten.
Pleqëria e parë, si marrëveshje me kohën, është kur njeriu e di se çfarë nuk ka më nevojë të mbajë. Ai s’ka nevojë për bujë, për pretendime, për përshtatje me njerëzit të gatuar në të tjera kallëpe… Kjo stinë e jetës ruan kujtimet, si frutat e fundit të një peme të stërlashtë, duke bërë një akt dashurie ndaj jetës.
Në fund, mbetet drita që vjen nga brenda, ajo që s’e fik dot as mosha, as mungesat, sepse njeriu që di të qëndrojë i drejtë në vetmi, fiton pa zhurmë betejën më të vështirë, atë me vetveten.
Pleqëria e parë nuk të kërkon të jesh më i fortë, por më i qetë, sepse forca e vërtetë është aftësia për të qëndruar i ndriçuar edhe kur drita vjen vetëm prej teje.
Pleqëria e parë është pikërisht ajo vjeshtë, ku njeriu fillon të zgjedhë se me cilat kujtime do ta kalojë dimrin.
(Strugë, tetor 2025)




