E mërkurë, 29 Tetor, 2025
7.8 C
Skopje

Publikohet deklarata zyrtare e Sirisë për njohjen e Kosovës

Pas zyrtarizimit të njohjes së Kosovës nga Siria, është publikuar një deklaratë e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Emigrantëve të Republikës Arabe Siriane.

Damask, më 29 tetor 2025

“Në kryeqytetin Rijad u mbajt një takim trepalësh që përfshiu Republikën Arabe Siriane, Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe Republikën e Kosovës. Gjatë takimit u diskutuan mënyrat për forcimin e marrëdhënieve dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, përfshirë çështjen e njohjes së ndërsjellë dhe hapjen e horizonteve për bashkëpunim dypalësh.

Në këtë kuadër, Republika Arabe Siriane shpall njohjen zyrtare të Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, duke u nisur nga besimi i saj në të drejtën e popujve për të përcaktuar fatin e tyre dhe angazhimi i saj për forcimin e parimeve të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në botë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Emigrantëve thekson se ky vendim vjen në kuadër të politikës siriane, që synon zgjerimin e urave të bashkëpunimit dhe hapjen ndaj vendeve të ndryshme të botës, në mënyrë që të shërbejë interesave të përbashkëta dhe të forcojë miqësinë midis popujve.

Republika Arabe Siriane shpreh gjithashtu vlerësimin e thellë për rolin e Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe për përpjekjet e saj në afrimin e qëndrimeve dhe mbështetjen e dialogut e mirëkuptimit, që kontribuan në krijimin e kushteve të përshtatshme për marrjen e këtij vendimi.

Damasku shpreson të vendosë marrëdhënie diplomatike me Republikën e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur dhe të zhvillojë bashkëpunim dypalësh në fusha politike, ekonomike dhe kulturore, në mënyrë që të përmbushen interesat e përbashkëta të dy vendeve mike”, thuhet në deklaratë.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm