“SPB Tetovë ka ndërmarrë menjëherë të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme. Nxënësit janë evakuuar nga objektet shkollore dhe janë siguruar në pjesët e jashtme. Pas kontrollit të detajuar të objekteve, u konstatua se bëhet fjalë për një alarm të rrejshëm”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë
Urim HASIPI
Tetovë, 17 nëntor – Tetova është tronditur sërish nga një alarm për bomba, i katërti me radhë gjatë këtij viti në shkollat e mesme të qytetit. Mëngjesin e së hënës, në adresën elektronike zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) ka mbërritur një email anonim, në të cilin pretendohej se në dy gjimnazet e Tetovës – “Kiril Pejçinoviq” dhe “7 Marsi”, ishin vendosur eksplozivë. Ndryshe nga rastet e mëparshme, këtë herë emaili nuk është dërguar në adresat e shkollave, por drejtpërdrejt në Ministrinë e Brendshme. Sapo është marrë njoftimi, MPB ka dërguar telegram urgjent drejt Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) në Tetovë, i cili menjëherë ka urdhëruar evakuimin e nxënësve dhe stafit nga të dy institucionet arsimore.
“SPB Tetovë ka ndërmarrë menjëherë të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme. Nxënësit janë evakuuar nga objektet shkollore dhe janë siguruar në pjesët e jashtme. Pas kontrollit të detajuar të objekteve, u konstatua se bëhet fjalë për një alarm të rrejshëm”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë. Sipas tij, Sektori për Krim Kibernetik dhe Forenzik po punon për identifikimin e autorit që ka dërguar emailin kërcënues. “Këto raste janë shpeshtuar në vitet e fundit dhe po ndërmerren masa për të gjetur origjinën e këtyre mesazheve”, shtoi Rexhepi.
Drejtori i gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, Jeton Kamberi, konfirmoi rastin, duke thënë se pas kontrolleve të policisë, mësimi ka rifilluar normalisht. “Rreth orës 7:45, gjatë orës së parë të mësimit, erdhën organet e rendit dhe njoftuan për alarm. Ndryshe nga herët e kaluara, këtë herë ne nuk morëm email, por ai ishte dërguar drejtpërdrejt në polici. Pasi u dha urdhri, nxënësit u evakuuan menjëherë dhe policia vazhdoi kontrollin e objektit”, tha Kamberi.
Burime brenda hetimeve dyshojnë se emaili është shkruar fillimisht në gjuhën maqedonase dhe më pas është përkthyer me “Google Translate” në shqip, me përmbajtje të ngjashme me alarmet e rrejshme të mëparshme. Kjo është herë e katërt që shkollat e Tetovës përballen me kërcënime të tilla, të cilat në të gjitha rastet kanë rezultuar të pavërteta. Megjithatë, ato kanë shkaktuar panik tek nxënësit, prindërit dhe stafi arsimor, si dhe pengesa të përkohshme në procesin mësimor. Autoritetet theksojnë se kërcënimet me bomba, edhe kur rezultojnë të rrejshme, përbëjnë vëprim penal të rëndë dhe ndëshkohen me burgim, ndërsa hetimet për identifikimin e autorëve po vazhdojnë me intensitet.
Kjo valë alarmesh të rrejshme, që po përfshin shkollat e vendit, ka shtuar shqetësimet për sigurinë në institucionet arsimore dhe për nevojën e rritjes së kontrollit në burimet digjitale nga ku dërgohen këto mesazhe anonime. (koha.mk)





