E mërkurë, 19 Nëntor, 2025
10.8 C
Skopje

PATENTË SHOFERI PO BËHET LUKS! Auto-shkollat rrisin çmimet deri në 40%

Auto-shkollat nuk e përjashtojnë mundësinë e një shtrenjtimi të ri, nëse rriten kostot operative. Ndërkohë, kandidatët që duan të regjistrohen, këshillohen ta bëjnë këtë sa më shpejt, përpara se çmimet e reja të miratohen zyrtarisht deri në fund të muajit

Besa IBRAIMI

Shkup, 19 nëntor –  Marrja e patentës së shoferit në Maqedoninë e Veriut po shndërrohet në luks. Që nga nëntori, auto-shkollat në të gjithë vendin i kanë rritur çmimet deri në 40%, ndërsa kategoria më e kërkuar, ajo “B”, shkon në 33.000 denarë. Vendimi vjen në një periudhë të rritjes së kostove të jetesës dhe ka shkaktuar reagime të ashpra në opinion. Përfaqësues të auto-shkollave thonë se janë detyruar të ndërmarrin këtë hap për shkak të shpenzimeve në rritje. Sipas tyre, çmimet e derivateve, mirëmbajtja e automjeteve dhe rritja e pagave për instruktorët e bënë të pashmangshëm shtrenjtimin.

“Me çmimet aktuale nuk mbijetonim. Çdo muaj shkonim drejt minusit. Kjo rritje është e domosdoshme për të mbuluar shpenzimet bazë,” tha për Koha një instruktor i një auto-shkolle në Shkup. Po ashtu, edhe tarifat shtesë janë rritur ndjeshëm: një orë praktike ekstra do të kushtojë 2.000 denarë, ndërsa përdorimi i automjetit të auto-shkollës ditën e provimit arrin në 1.500 denarë. Vendimi ka goditur veçanërisht të rinjtë, për të cilët patenta e shoferit është shpesh një kusht i domosdoshëm për punë dhe mobilitet.

“Me pagat që kemi, 33 mijë denarë është shumë. Ndjehet sikur po na hiqet mundësia për të pasur liri lëvizjeje,” thotë një maturante nga Aerodromi. Edhe në rrjetet sociale reagimet janë të shumta. Dhjetëra qytetarë e kanë cilësuar vendimin “goditje të panevojshme” dhe “shtrenjtim pa limit”, duke kërkuar më shumë kontroll nga institucionet.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se janë të informuar për ndryshimet, por sqarojnë se tarifat nuk caktohen nga MPB-ja. “Ne e ndjekim situatën, por çmimet janë përgjegjësi ekskluzive e auto-shkollave”, thonë në MPB. Ekspertët e ekonomisë theksojnë se rritja e çmimeve mund të ketë ndikim indirekt edhe në tregun e punës, pasi shumë profesione kërkojnë patentë shoferi si kriter bazë punësimi. Ndërkaq, burime jozyrtare në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve theksojnë se ndryshimet janë ndërmarrë për të rritur cilësinë e trajnimit dhe për t’u përafruar me standardet evropiane.

Auto-shkollat nuk e përjashtojnë mundësinë e një shtrenjtimi të ri, nëse rriten kostot operative. Ndërkohë, kandidatët që duan të regjistrohen, këshillohen ta bëjnë këtë sa më shpejt, përpara se çmimet e reja të miratohen zyrtarisht deri në fund të muajit. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm