MBI 73 MIJË VIZITORË NË NJË MUAJ! Më shumë turistë, më pak bujtje

Sipas të dhënave të fundit të Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS), në muajin mars të këtij viti, vendin e kanë vizituar gjithsej 73.921 turistë, të cilët kanë realizuar 134.233 netë qëndrimi. Nga numri i përgjithshëm i turistëve, 19.7 për qind kanë qenë turistë vendorë, ndërsa 80.3 për qind turistë të huaj, çka tregon se turizmi në vend vazhdon të dominohet nga vizitorët ndërkombëtarë

 

Anëmsha SHABANI

Shkup, 12 maj Turizmi në vend vazhdon të mbështetet kryesisht nga vizitorët e huaj, ndërsa të dhënat e reja tregojnë se vendi po regjistron rritje të numrit të turistëve, por jo edhe të bujtjeve. Kjo sinjalizon se gjithnjë e më shumë vizitorë po vijnë në vend, por qëndrimet e tyre mbeten më të shkurtra, duke reflektuar një turizëm më shumë tranzit apo vizita të shkurtra sesa pushime afatgjata, shkruan gazeta KOHA.

Sipas të dhënave të fundit të Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS), në muajin mars të këtij viti, vendin e kanë vizituar gjithsej 73.921 turistë, të cilët kanë realizuar 134.233 net qëndrimi. Nga numri i përgjithshëm i turistëve, 19.7 për qind kanë qenë turistë vendorë, ndërsa 80.3 për qind turistë të huaj, çka tregon se turizmi në vend vazhdon të dominohet nga vizitorët ndërkombëtarë.

Edhe te bujtjet dominojnë turistët e huaj. Nga gjithsej 134.233 net qëndrimi të regjistruara gjatë marsit, 73.5 për qind janë realizuar nga turistët e huaj, ndërsa vetëm 26.5 për qind nga turistët vendorë. Kjo tregon se edhe pse numri i turistëve vendorë mbetet i ulët, ata vazhdojnë të kenë pjesëmarrje më të madhe në kohëzgjatjen e qëndrimit krahasuar me pjesëmarrjen e tyre në numrin total të vizitorëve.

Në nivel tremujori, statistikat tregojnë se numri i turistëve në periudhën janar-mars 2026 është rritur për 5.2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja është nxitur kryesisht nga turistët e huaj, numri i të cilëve është rritur për 6.9 për qind, ndërsa te turistët vendorë rritja ka qenë më modeste, vetëm 1.3 për qind. Kjo konfirmon se lëvizja turistike në vend po mbështetet kryesisht nga tregjet e jashtme.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së numrit të turistëve, netët e kaluara kanë shënuar rënie prej 0.3 për qind në tremujorin e parë të vitit. Rënia vjen kryesisht nga turistët vendorë, te të cilët netët e kaluara janë ulur për 1.2 për qind, ndërsa te turistët e huaj është regjistruar një rritje minimale prej 0.2 për qind. Kjo nënkupton se turistët po qëndrojnë më pak ditë në vend, fenomen që shpesh lidhet me ofertën e kufizuar turistike, shpenzimet më të larta apo orientimin drejt udhëtimeve të shkurtra.

Sipas vendeve të origjinës, numri më i madh i turistëve të huaj në muajin mars ka ardhur nga Gjermania me 9.645 turistë dhe nga Turqia me 9.090 turistë. Në mesin e tregjeve më të rëndësishme turistike për vendin renditen edhe Franca me 4.945 turistë dhe Serbia me 3.955 turistë.

Ndër të tjera, të dhënat tregojnë se sektori turistik po ruan trendin e rritjes së vizitorëve, por sfida kryesore mbetet zgjatja e qëndrimit të turistëve dhe rritja e konsumit turistik. Në kushtet kur vendi synon ta zhvillojë turizmin si një nga sektorët kryesorë ekonomikë, statistikat sinjalizojnë se nevojiten investime më të mëdha në ofertë, promovim dhe përmbajtje turistike që do t’i mbanin vizitorët më gjatë në destinacionet vendore. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm