Ballkanasit, pranë dhe të izoluar nga njëri-tjetri

Të dhënat e “Barometrit të Ballkanit 2025” të publikuara nga Këshilli i Bashkimit Rajonal tregojnë se 22 për qind e banorëve të rajonit nuk kanë vizituar kurrë asnjë nga vendet fqinj. Maqedonia e Veriut është vendi i dytë, pas Bosnje dhe Hercegovinës, për të cilën 38 për qind e të anketuarve deklarojnë se nuk e kanë vizituar kurrë

Evis HALILI

Shkup, 5 qershor – Barrierat politike, mungesa e infrastrukturës…,janë disa nga pengesat kryesore që i bëjnë ballkanasit të vizitojnë njëri-tjetrin. Të dhënat e “Barometrit të Ballkanit 2025” të publikuara nga Këshilli i Bashkimit Rajonal tregojnë se 22 për qind e banorëve të rajonit nuk kanë vizituar kurrë asnjë nga vendet fqinj. Maqedonia e Veriut është vendi i dytë, pas Bosnje dhe Hercegovinës, për të cilën 38 për qind e të anketuarve deklarojnë se nuk e kanë vizituar kurrë. Rezultatet e Anketës tregojnë se Bosnja dhe Hercegovina është vendi më pak i vizituar nga vendet e tjera të rajonit, ku mesatarisht 46 për qind e të anketuarve deklarojnë se nuk kanë shkelur kurrë atje, shkruan gazeta KOHA.

Shqipëria dhe Kosova, vijnë pas Maqedonisë (37 për qind nuk e kanë vizituar kurrë), për dallim nga Mali i Zi, i cili është më i vizituari nga fqinjët. Sa i takon Maqedonisë, për vitin e kaluar numri më i madh i udhëtimeve është bërë në Serbi (34 për qind), pasuar nga Kosova dhe Shqipëria. Për qytetarët e Shqipërisë, Kosova mbetet destinacioni më i afërt dhe më i vizituar, vetëm 20 për qind e shtetasve shqiptarëve thonë se nuk kanë qenë kurrë në Kosovë, ndryshe nga Kosova, ku përqindja e shtetasve që nuk e kanë vizituar Shqipërinë është shumë e vogël, vetëm 4 për qind.

Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi renditen si dy nga vendet më të aksesueshme për të gjithë, Mali i Zi është veçanërisht i vizituar nga serbët (vetëm 7 për qind nuk e kanë vizituar) dhe nga boshnjakët, vetëm 8 për qind. Maqedonia po ashtu, pavarësisht se ka turizëm bregdetar të kufizuar është një vend që vizitohet nga fqinjët. Ndryshe nga dallimet e tjera, si për shembull 72 për qind e shtetasve shqiptarëve nuk e kanë vizituar kurrë Serbinë, dhe mbi 66 për qind nuk kanë qenë kurrë në Bosnjë dhe Hercegovinë. Për Kosovën, izolimi me këto dy vende është edhe më ekstrem, kryesisht për shkak të barrierave politike dhe regjimit të vizave me Bosnjën, 79 për qind shtetasve të Kosovës nuk kanë vizituar kurrë Bosnjën dhe 67 për qind nuk kanë qenë kurrë në Serbi.

Të dhënat nxjerrin në dritë edhe hendeqe të tjera të thella ndërmjet vendeve që ndajnë kufij të përbashkët. Për shembull, 68 për qind e qytetarëve të Serbisë nuk kanë vizituar kurrë Shqipërinë, ashtu si edhe 60 për qind e qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës nuk kanë shkelur kurrë në Shqipëri apo Kosovë. Një tjetër tregues negative për integrimin rajonal është se 22 për qind e qytetarëve në nivel rajoni deklarojnë se nuk kanë vizituar asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Anketa e Barometrit 2025 tregon se pavarësisht iniciativave dhe projekteve të ndryshme në vite vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë të vështirë të hedhin pas të shkuarën. Barrierat politike dhe tensionet e vazhdueshme etnike e fetare, infrastruktura e munguar rrugore e hekurudhore…, janë shkaqet kryesore që mbajnë pezull integrimin e Ballkanit. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm