Pa asnjë dyshim, po! Sipas profesorit të Anatomisë në Lancaster, Adam Taylor, pas të 40-ave njerëzit humbasin rreth një centimetër çdo dekadë, shkruan The Guardian. Burrat humbasin 0.08-0.1% të gjatësisë trupore çdo vit, kurse gratë 0.12-0.14%. Një pjesë e kësaj shkaktohet nga qëndrimi i kërrusur teksa moshohemi. Njerëzit që ulen ose qëndrojnë me shpinë të kërrusur për periudha të gjata kohe, sidomos në tavolinë, me kohën shpina përshtatet me këtë pozicion. Njerëzit më të moshuar ndonjëherë përkulen për të gjetur një pikë më të sigurt graviteti.
Ne të gjithë humbasim gjatësi në fillim e në fund të çdo dite pasi graviteti nxjerr ujë nga disqet intervertebrorë. Ndryshimi i gjatësisë ndodh edhe në nivel më të imët. Rreth moshës 30-35 vjeçare, muskujt dhe kockat nisin të tkurren, disqet mes vertebrave humbasin ujë dhe përmasat zvogëlohen. Pjesa qendrore e kockave në shpinë, legen dhe këmbë bëhet më pak e dendur.
“Kur kjo ndodh, kocka kondensohet nga pak dhe shkurtohet”, thotë Taylor duke shtuar se humbja e masës muskulore ndikon te gjatësia sepse kockat ruajnë formën dhe madhësinë në sajë të forcës së muskujve. “Nuk mund ta ndalosh këtë proces. Por mund ta ngadalësosh. Një dietë e pasur me kalcium dhe vitaminë D, aktiviteti i rregullt fizik dhe shmangia e duhanit dhe alkoolit në moshë të re ul ritmin e zovgëlimit të muskujve dhe kockave. Një qëndrim i mirë gjithashtu mund të të mbrojë”, këshillon Taylor. Taylor shprehet se humbja e disa centimetrave nuk është e keqe. Problemi është se humbja e kockave dhe muskujve mund të sjellë sëmundje kronike si ato të zemrës, osteoporoza, osteoartriti apo të tjera që lidhen me lëvizjen, ndaj duhet të bëjmë çmos për t’i mbrojtur.