Vizita zyrtare e presidentit amerikan Donald Trump në Mbretërinë e Bashkuar dhe ndërhyrja publike e Mbretit Charles besohet se kanë luajtur rol kyç në ndryshimin e papritur të qëndrimit të tij ndaj luftës në Ukrainë, shkruan “The Independent”.
Këtë javë, Trump kaloi nga një qëndrim më i butë, ku sugjeronte se Ukraina mund të dorëzonte territore – në një pozicion të ri, ku mbështet idenë se Kievi mund dhe duhet të rikuperojë të gjitha territoret e pushtuara nga Rusia pas vitit 2022.
Andriy Yermak, shefi i zyrës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, deklaroi se vizita e Trump në Britani ka qenë një moment vendimtar. I pyetur nëse delegacioni ukrainas e kishte bindur Trump, ai u përgjigj:
“Do të theksoja se ishte një vizitë shumë e rëndësishme e presidentit Trump në Mbretërinë e Bashkuar. E njoh qëndrimin e Madhërisë së Tij, të kryeministrit Starmer dhe të personave me të cilët u takua presidenti Trump… ishte shumë domethënëse”.
Gjatë darkës zyrtare në kështjellën Windsor, mbreti Charles përmendi luftën në Ukrainë, duke theksuar:
“Vendet tona kanë pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të ngushtë në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe inteligjencës.
Në dy luftëra botërore luftuam së bashku për të mposhtur forcat e tiranisë. Sot, ndërsa tirania kërcënon sërish Evropën, ne dhe aleatët tanë qëndrojmë të bashkuar në krah të Ukrainës, për të frenuar agresionin dhe për të siguruar paqen.”
Ky reagim mbretëror, i kombinuar me qëndrimin e qartë të qeverisë britanike, besohet të ketë ndikuar ndjeshëm në reflektimin e Trump për rolin e SHBA-ve në mbështetjen ndaj Ukrainës.