Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, i është përgjigjur ashpër akuzave të liderëve të koalicionit VLEN, të cilët sonte akuzuan Ali Ahmetin se ka nënçmuar votuesit shqiptarë duke i quajtur “zagarë”.
Në reagimin e tij publik, Ademi ka sqaruar se deklarata e Ahmetit nuk ka pasur për cak qytetarët shqiptarë, por, siç thotë ai, udhëheqësit e VLEN-it që kanë humbur legjitimitetin politik.
“O të mjerë, zagarë nuk është populli që ju e mashtruat, por ata që sot rrijnë te këmbët e Mickoskit, pa legjitimitetin e shqiptarëve”, ka shkruar Ademi në një postim në rrjetet sociale.
Ky reagim vjen në kulmin e përplasjes mes BDI-së dhe koalicionit opozitar VLEN, vetëm pak javë para zgjedhjeve lokale të 19 tetorit, duke e ashpërsuar më tej gjuhën politike dhe tensionet në skenën shqiptare.