E shtunë, 18 Tetor, 2025
11.8 C
Skopje

Ahmeti për RTSH: UÇK ka respektuar ligjet dhe konventat ndërkombëtare

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, i ftuar në emisionin “Tema e Ditës” në RTSH, të drejtuar nga gazetari Arbër Hitaj, komentoi zhvillimet rreth procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas tij, pas dështimit të çështjes së “Shtëpisë së Verdhë” dhe raporteve të Dick Marty-t, u ndryshua edhe agjenda e Prokurorisë.

“Përderisa dështoi Shtëpia e Verdhë, argumentet e Dick Marty-t, u ndryshua dhe axhenda e Prokurorisë me dëshmitarë që për interesa të tyre nuk arrijmë dot të kuptojmë, përse i futi në përdorim Prokuroria, pa fakte, pa argumente për të ndërtuar një dosje për veprimtari kriminale”, deklaroi Ahmeti.

Ai theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka respektuar ligjet dhe konventat ndërkombëtare, pavarësisht kushteve ekstreme në të cilat është zhvilluar lufta.

“UÇK-ja ka luftuar në dy fronte atë ushtarak dhe emocional duke menaxhuar dhimbjen e madhe të humbjeve. Nuk ishte e lehtë, por vetëm një organizim me vlera dhe disiplinë ushtarake mund ta përballonte atë situatë,” tha kreu i BDI-së.

Ahmeti kritikoi qasjen ndaj procesit në Hagë, duke thënë se shumë zëra ndërkombëtarë po i kushtojnë rëndësi fakteve duke dëshmuar, ndërkohë që të tjerët pak rëndësi i kushtojnë.

Ahmeti përcolli një mesazh të fuqishëm solidariteti për ish-udhëheqësit e UÇK-së që ndodhen në Hagë.

“I përqafoj dhe i dua këta burra si kontribuues për lirinë e Kosovës dhe për çështjen tonë kombëtare. Këta djem, padrejtësisht, ua kanë marrë nga gjiri i popullit dhe po përpiqen t’i thyejnë. Ne, si shokë, si bashkëkombës, përpiqemi të jemi në nivelin e përgjegjësisë që na takon. Shpresoj që, në fund, do të jemi të suksesshëm në përpjekjet tona, që t’i jepet fund kësaj padrejtësie dhe t’u kthehet liria sa më parë”, tha ai.

Ai bëri të ditur se ka një iniciativë nga shoqatat e dala nga lufta për të organizuar një protestë edhe në Shkup, si vijim i protestave që janë mbajtur në Prishtinë, Tiranë dhe Hagë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe për të kërkuar drejtësi.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm