Në një konferencë për media, përfaqësuesja e Aleancës Kombëtare për Integrim, Albana Mustafa, ka akuzuar sot kandidatin e VLEN-it për Komunën e Çairit, Izet Mexhitin, se për dy dekada po mashtron qytetarët me premtime të përsëritura, projekte të parealizuara dhe manipulime elektorale.
Mustafa tha se Mexhiti është “njeriu që flet për moral dhe drejtësi, por vepron me mashtrim e interes personal”, duke sjellë shembuj konkretë nga fushatat e tij të kaluara. Ajo kujtoi premtimin e famshëm të Mexhitit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024, kur ai kishte deklaruar se “çdo qytetar do të bëhet aksionar në ndërmarrjet shtetërore dhe do të përfitojë nga 10.000 euro”.
“Sot, një vit e gjysmë më pas, nuk ka asnjë aksion, asnjë ligj dhe asnjë debat publik për këtë çështje. Ky ishte mashtrimi më i madh populist në historinë e zgjedhjeve tona – një ide për vota, jo për zhvillim”, theksoi Mustafa.
Sipas saj, një tjetër mashtrim i madh është premtimi për mbylljen e kazinove dhe bastoreve.
“Në vend që të mbyllen, sot në territorin e Çairit, nga Bit Pazari deri në kufi me Butelin, janë 23 pika bastesh. Të rinjtë po rrënohen moralisht e financiarisht, ndërsa Izeti hesht,” tha ajo.
Albana Mustafa tha se Mexhiti ka dështuar edhe në çështjen e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione.
“U hoq Balancuesi, instrumenti i vetëm që garantonte përfaqësim të drejtë etnik. Sot, në konkurset e fundit për punësim, numri i shqiptarëve të pranuar është pothuajse zero. Ligji për përfaqësim, që Mexhiti e kishte premtuar, është zhdukur prej 15 muajsh – pa draft, pa debat, pa transparencë”, theksoi ajo.
Një nga akuzat më të rënda në deklaratë lidhet me keqpërdorimin e buxhetit të Komunës së Çairit.
Sipas Albanë Mustafës, Mexhiti ka ndarë 720 kontrata për militantë partiakë, që i kushtojnë komunës rreth gjysmë milioni euro në muaj.
“Paratë që duhej të investoheshin në shkolla, rrugë e parqe, po shkojnë për fushatë dhe për mbajtjen e militantëve të tij. Ky është shembulli më flagrant i abuzimit me paranë publike”, shtoi ajo. Mustafa e quajti mashtrim të madh edhe projektin e Mexhitit për “Bankën Shqiptare”.
“Në vend të një banke kombëtare, solli Alta Bankën, një bankë me kapital serb që po zgjerohet në tregun e Maqedonisë me bekimin e tij politik. Kjo është ironia më e madhe për shqiptarët që Izeti pretendon se përfaqëson”, tha ajo.
Mustafa përmendi edhe rastin e kredisë hungarez prej 300 milionë eurosh kredi të buta për kompanitë maqedonase, nga të cilat asnjë biznes shqiptar nuk ka përfituar. “Izeti heshti. Asnjë reagim, asnjë kërkesë, asnjë mbrojtje për ekonominë shqiptare. Ai është ministri i mashtrimit – barazi vetëm në fjalë, padrejtësi në praktikë,” u shpreh ajo.
Mustafa tha se Mexhiti ka përsëritur të njëjtat premtime për 20 vite me radhë: rrugë, ndriçim, gjelbërim dhe qendra rinore – asnjë i realizuar.
“Tre mandate të tij në Çair, dy të mikut të tij Visar Ganiu, dhe rezultati është i njëjtë: një komunë e ndotur, e varfëruar dhe e lodhur nga mashtrimet”, tha ajo. Mustafa përfundoi me mesazhin se qytetarët nuk do të mashtrohen më.
“Dhjetë ditë para zgjedhjeve, Mexhiti po premton sërish ‘çudira’. Por qytetarët e Çairit e dinë tashmë kush është ai – mjeshtër i fjalëve, por i varfër në vepra. Më 19 tetor, do t’i jepet fund një epoke mashtrimesh dhe do të zgjedhet ndryshimi që Çairi e meriton – për një Çair që beson në punë, jo në mashtrime”.