E mërkurë, 29 Tetor, 2025
13.8 C
Skopje

AKI: VLEN-i është kapur tërësisht nga të tjerët, shqiptarët më 2 nëntor do t’i thonë JO vasalëve

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ka reaguar ashpër ndaj koalicionit VLEN, duke e akuzuar për “mashtrim politik” dhe “varësi totale nga VMRO-DPMNE”. Në komunikatën e lëshuar nga AKI, thuhet se VLEN po përpiqet të fshehë faktin se në raundin e parë të zgjedhjeve lokale ka fituar falë votave të maqedonasve të partisë së Mickoskit në disa komuna shqiptare, përfshirë Çairin, Tetovën, Strugën dhe Dibrën. “VLEN-i vazhdon të bëjë atë që di më së miri – mashtrimin. Duke u përpjekur të fshehë fitoren me votat e VMRO-DPMNE-së, ata shpifin se gjoja AKI mbështetet nga votat e Levicës”, thuhet në reagimin e Aleancës Kombëtare për Integrim.

Në deklaratë përmendet edhe nënkryetari i VMRO-së, Aleksandër Nikollovski, i cili publikisht tha se lideri i VLEN-it, Bilall Kasami, nuk duhet të ndihet në siklet që maqedonasit e Tetovës votuan për të.

“Tani ai duhet t’u përgjigjet atyre njerëzve, sepse ata janë mbështetësit e tij”, citohet Nikollovski, deklaratë që sipas AKI-së “tregon qartë kush i komandon dhe kush i dirigjon liderët e VLEN-it”. AKI kujton se “VLEN-i e ka shitur kauzën shqiptare që në vitin 2024, kur pas disfatës në zgjedhje pranoi të bëhej vasal i VMRO-së”, ndërsa e njëjta gjë po përsëritet edhe tani pas raundit të parë të zgjedhjeve të 19 tetorit. “Ata sërish i dorëzuan komunat me shumicë shqiptare në duart e Mickoskit dhe të partisë së tij”, thuhet në reagim.

Në fund, Aleanca Kombëtare për Integrim thekson se më 2 nëntor shqiptarët do të flasin me dinjitet, duke i thënë “JO vasalëve të VMRO-së dhe Mickoskit” dhe duke zgjedhur rrugën e përfaqësimit të vërtetë politik. “E për pak desh harruam një pyetje që kërkon përgjigje të sinqertë: Pse hoqët dorë nga mbështetja e kandidatit Haqim Ramadani në Bërvenicë?”, përfundon reagimi i AKI-së.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm