Howard Rubin, ish-menaxheri i fondeve të miliarderit George Soros dhe ish-biznesmen i njohur në Wall Street, është arrestuar, pasi akuzohet për një sërë veprash të rënda penale që përfshijnë abuzim dhe prostitucion të grave në një apartament luksoz të shndërruar në një “burg seksi”.
Sipas New York Post, Rubin u ndalua në banesën e tij në Fairfield, Connecticut, bazuar në një aktakuzë me 10 pika që përfshijnë akuza për “torturim të rëndë”, siç deklaroi prokurori federal në Brooklyn, Joseph Nocella.
Rubin, i njohur gjithashtu me nofkat “Howie” dhe “H”, dyshohet se gjatë viteve 2009–2019, ka shfrytëzuar fillimisht hotele luksoze në Manhattan për të abuzuar me gratë dhe vajza dhe më pas ka ngritur një ambient të specializuar në një apartament luksoz me dy dhoma gjumi, ku përdorte pajisje BDSM dhe teknologji për të dokumentuar gjithçka.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se dhomat ishin të pajisura me kamera dhe kompjuterë për të regjistruar skenat e abuzimeve, ndërsa viktimat ishin gra të rekrutuara përmes agjencive të eskortave apo rrjeteve të modeleve.
Rubin ka qenë një figurë e njohur në botën financiare, duke menaxhuar fonde për Soros Fund Management dhe klientë të tjerë elitarë të Wall Street-it.
Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që prokuroria të sjellë dëshmi të reja për atë që tashmë po cilësohet si një nga skandalet më tronditëse që përfshijnë një emër të madh të financës amerikane. (Panorama.al)