Kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka qenë sot prezent në protestën e organizuar në Tiranë në mbështetje të luftës së drejtë të UÇK-së.
Gjatë fjalës së tij, Ahmeti tha se zanafilla e Gjykatës Speciale të Kosovës është në raportimet trilluese ruso-serbe për trafikim organesh, përcjell A2 CNN.
Ahmeti tha gjithashtu se kjo çështje inekzistente që doli nga kuzhinat e shërbimeve serbe, me qëllim përdhosjen e luftës së drejtë të UÇK-së.
Ai u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të bashkohen në tubimet në mbështetje të luftës së UÇK-së, pasi sipas tij, ajo luftë ishte një luftë çlirimtare.
Sot jemi bashkë, Tirana, Prishtina dhe Shkupi dhe kështu qofshim gjithmonë. Po ngremë zërin për drejtësi, për respekt, për njohje të luftës tonë të drejtë, për pragun e shtëpisë, për liri e demokraci, për pavarësi dhe miqësi me Amerikën dhe Europën. Të dashur vëllezër e motra, zanafilla e Gjykatës Speciale të Kosovës është në raportime trilluese ruso-serbe për trafikim organesh që bëri bujë padrejtësisht në botë. Këtë çështje inekzistente që doli nga kuzhinat e shërbimeve serbe me institucione ruse, e hetoi edhe tribulani i Hagës dhe konstatoi që nuk është i vërtetë dhe e mbylli hetimin.
Kohë më pas, Dick Marty e riaktualizoi mediatikisht këtë temë me porosi ruso-serbe dhe inicioi miratimin e raportit në Këshillin e Europës, që detyroi themelimin e gjykatës për të hetuar trafikimin e trilluar të organeve. Pra kjo gjykatë u themelua për të zbardhur pretendimet për trafikim organesh, nga 1998 deri në vitin 2000. Kjo Gjykatë u themelua në Kosova qëllimisht, me qëllim që t’ja pamundësonte Serbisë që ta themelonte atë përmes Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, tha mes të tjerash Ahmeti. (A2 Televizion)