Angazhime për sigurimin e specialistëve në të gjithë repartet

Gjatë 16 muajve si ushtrues detyre drejtor, Mersim Koleci ka realizuar me sukses shumë projekte në sanimin e objektit, sigurimin e pajisjeve dhe aparaturave, si dhe në angazhimin e kuadrove që mungonin në spital, kryesisht nga spitalet e qyteteve fqinje

Vjollca SADIKU

Dibër, 25 mars – Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Azir Aliu, emëroi drejtor me mandat katërvjeçar të Spitalit të Përgjithshëm Mersim Kolecin, i cili paraprakisht për 16 muaj ishte ushtrues detyre në këtë institucion shëndetësor. Drejtoria e Spitalit në Dibër, i cili me aktivitetet e tij mbulon edhe komunën rurale Qendër Zhupë, informoi se vendimi është marrë nga ministri gjatë ditës së hënë. Gjatë 16 muajve si ushtrues detyre drejtor, Mersim Koleci ka realizuar me sukses shumë projekte në sanimin e objektit, sigurimin e pajisjeve dhe aparaturave, si dhe në angazhimin e kuadrove që mungonin në spital, kryesisht nga spitalet e qyteteve fqinje.

Drejtori Mersim Koleci, i cili ka përfunduar studimet master në Drejtësi në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, deklaroi se me vendimin e ministrit dhe vlerësimin e tij, në fakt merr një përgjegjësi që kërkon profesionalizëm dhe angazhim maksimal për të udhëhequr këtë institucion shëndetësor.

“Ky vlerësim përfaqëson një përgjegjësi të shtuar institucionale dhe profesionale. Angazhimi im do të intensifikohet edhe më shumë në funksion të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore, rritjes së standardeve të punës dhe garantimit të një shërbimi sa më efikas dhe cilësor për pacientët. Shpreh mirënjohjen time për besimin e dhënë fillimisht nga Lëvizja BESA, e cila ma besoi drejtimin e institucionit më të madh publik në qytetin e Dibrës, si dhe nga VLEN-i, sepse kam pasur mbështetje të parezervë në çdo kohë dhe mbetem i përkushtuar në përmbushjen e detyrimeve me korrektësi dhe profesionalizëm të lartë”, tha drejtori Koleci.

Sipas tij, spitali do të vazhdojë projektet që janë në vijim dhe do të angazhohet për të siguruar mjekë specialistë për të gjitha repartet. Gjatë dy viteve të kaluara, si dhe gjatë muajve të parë të këtij viti, me përkrahjen e Ministrisë dhe donatorëve, kryesisht nga diaspora dibrane në Amerikë dhe Evropë, u realizuan projektet për fasadën e re të spitalit, u rekonstruan pothuajse të gjitha repartet dhe u bë pajisja me aparatura dhe pajisje moderne për shumë prej tyre. Pas një kohe u sanua dhe u vu në përdorim edhe sistemi i ngrohjes qendrore.

Po ashtu, për shkak të pensionimit të disa mjekëve specialistë, drejtoria e spitalit ka angazhuar specialistë, kryesisht nga Spitali i Strugës, me qëllim sigurimin e një mbrojtjeje shëndetësore sa më cilësore për popullatën. Aktualisht, spitali ka në specializim shtatë mjekë në klinikat shtetërore të Shkupit. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm