Lideri i partisë politike Levica, Dimitar Apasiev, deklaroi se kërkesa kryesore e partisë nga takimi i sotëm i liderëve në Klubiin e deputetëve ka qenë ndryshimi i Kodit Zgjedhor, i cili, sipas tij, është i domosdoshëm për zgjedhjet e ardhshme, pasi Levica ka qenë e vetmja parti e censuruar gjatë 35 viteve të fundit.
Apasiev theksoi se partia kishte edhe kërkesa ekonomike, të lidhura me sindikatat. Ai shtoi se Levica për herë të parë është ftuar të marrë pjesë në një takim liderësh, gjë që përmbush qëndrimin e tyre të mëhershëm për pjesëmarrje vetëm brenda institucioneve, e jo, siç tha ai, në “hotele në Mavrovë apo ambasada”.
Sa i përket Qeverisë së Przhinës, lideri i Levicës tha se nuk kanë problem që ajo të shfuqizohet.
“Për ‘Qeverinë e Przhinës’, nuk kemi problem të shfuqizohet, pasi është mbetje e një kohe kur Maqedonia trajtohej si protektorat. Prandaj, për ne është e njëjtë se kush është në pushtet dhe nuk e kemi të papranueshme që ajo të hiqet. Për çështjet e tjera do të insistojmë që kërkesat tona të pranohen plotësisht, sidomos nëse shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare me këtë Kod Zgjedhor”, shtoi Apasiev.




