Gjithçka është supozim se ç’ka dashur të thotë drejtori i Statistikës. Sepse, ndryshe nga Grubi, që ka thënë se disa deklarata të tij janë për të ardhur keq, “kashelashën” është munduar ta zbulojë Apasievi në mënyrën e tij të perceptimit: shqiptarët të arrijnë 30 për qind, e maqedonasit të bien nën 60!
Nga Daut DAUTI
- Ç’DESH TË THOTË SIMOVSKI ME “ARMIKUN NR.1”?!
Ai tha se pas 30 marsit do ta shpallin armikun nr.1, por nuk e saktësoi se i kujt. Pas ndonjë dite u korrigjua për të relativizuar. Apostol Simovski, drejtori i Entit të Statistikës, mbi të cilin bie barra e madhe e pritjeve dhe zhgënjimeve të mundshme pas shpalljes së rezultatit të regjistrimit të vitit të kaluar, ka sjellë në fund një proces njëzetvjeçar të mbetur mjegull. Praktikisht, ai ka të drejtë në atë që e thotë si paralajmërim, sepse në të kaluarën, janë krijuar disa “mite” për regjistrimin, sidomos kundrejt përqindjes së shqiptarëve. Edhe pse në të kaluarën, në komunizëm dhe dy regjistrimet e para të pavarësisë në fillim të viteve 90-të, shqiptarët nuk kanë pasur shumë ndikim te regjistrimet, përqindje e tyre kishte mbërritur në 23 për qind, mirëpo kjo nuk u pengoi manipuluesve që u kapën në regjistrimin e vitit 2002, kur shqiptarët u bënë 25 për qind, për të treguar se është falsifikuar dhe deri në ditët e sodit ka vazhduar debati se shqiptarët janë nën 20 për qind, duke dashur ta rrënojnë Marrëveshjen e Ohrit, që sipas tyre, është arritur nën presionin e armëve.
Qarqet nacionaliste që mund të identifikohen edhe brenda disa partive, kanë shpikur tezën për dhënien shtetësi masive kosovarëve që ta rritin numrin, edhe pse kjo në shifrën që e përmendin(150 mijë) është nonsens. Kundrejt asaj përqindje, ata parapëlqejnë një shifër “reale” prej 13 -17 për qind, duke harruar se kjo do të ishte një anomali serioze shoqërore kur dihet se edhe pa atë regjistrimin e 25 përqindëshit, shqiptarët tashmë kishin qenë 23 për qind dhe duke pasur parasysh rritjen demografike, rritja e tyre për tri dekada është më se normale për shkak të natalitetit më të madh të tyre, që si “problem” e kishin trajtuar në dekadën e fundit të komunizmit.
Enigma nuk është te manipulimi apo dëshira e qarqeve nacionaliste që duan ta zvogëlojnë numrin, por në diçka shumë më serioze, e kjo është lëvizja masive migrative pas heqjes së vizave. Vetë fakti se jehona zgjedhore në mjedise të caktuara pothuajse asnjëherë nuk e kalon 50 përqindëshin, flet jo për çmotivim votuesish, por për mungesë fizike të tyre. Kjo në mjediset me shumicë shqiptare pothuajse ka kaluar në tendencë të përhershme. Duke u nisur nga kjo, qarqet që duan numër më të vogël shqiptarësh bëjnë tifo që shqiptarët të bien nën 20 për qind. Nga ana tjetër, është një çështje që këta mund të dalin tejet të dëshpëruar, sepse në diasporë, u regjistruan 200 mijë persona me punë dhe qëndrim të përkohshëm. Këta hiq më pak janë rreth 10 për qind e banorëve sa ka pasur Maqedonia. Mund të supozohet se mbi 80 për qind e të regjistruarve janë shqiptarë, që e bën që në start pozicionin për përqindje jo të ulët të shqiptarëve, sepse, gjithsesi, nuk do të kenë dalë më shumë se gjysma e tyre në botë, apo jo?
Gjithçka është supozim se ç’ka dashur të thotë Simovski. Sepse, ndryshe nga Grubi, që ka thënë se disa deklarata të tij janë për të ardhur keq, “kashelashën” e ka zbuluar Apasievi në mënyrën e tij të perceptimit, sepse ai pret që edhe kësaj radhe të ketë falsifikim të numrit të shqiptarëve dhe maqedonasve, që shqiptarët të rriten te 30 për qind, e maqedonasit të bien nën 60! Të presim 30 marsin dhe të shohim se “armik nr.1” i kujt do të bëhet Angel Simovski. Më tepër është e pritshme që ai të bëhet armik i atyre qarqeve të cilat deri tash kanë shpikur përqindjet e dëshirave të tyre…Mua nuk do t’më kishte habitur asgjë për shkak të lëvizjeve migrative në drejtim të perëndimit, proces ky që i ka zbrazur vendbanimet tona, sidomos ato rurale…
- MODELI I TË VEGJËLVE DHE TË MËDHENJVE
Një mik ka një teori të letërsisë. Ai thotë se shkruarja e një vepre është si matematika…Nuk e kam pyetur të shpjegojë në detaje, por e kam kuptuar ç’do të thotë. Ai do të thotë se as në letërsinë ku fjalën kryesore e fjalët, nuk është e lejuar anarkia dhe hiperinflacioni i fjalëve. Pra, çdo fjalë duhet matur, ose më saktë, “numëruar”…si në matematikë. Seç m’u kujtua kjo analogji gjersa po zhvillohet debati i posa hapur për kodin zgjedhor. Një kërkesë e kahershme e partive të vogla. E partive të vogla, sepse “të mëdhatë” kaherë janë akomoduar në modelin me 6 njësi, të cilave deri tash u ka sjellë benefite të përhershme. Ato nuk do të donin ndërrimin me çdo kusht të këtij modeli.
Dhe tash, qeveria, më saktë LSDM-ja, u desh të lëshojë pe para partive të vogla që i ka në koalicion, sepse ato pretendojnë se me një njësi, do të vijnë më lehtë në shprehje. Dhe këtu luan matematika e tyre.
Por, pazari i shpisë nuk del përherë në çarshi. Edhe në një njësi zgjedhore, për të fituar vota të mjaftueshme ndonjë parti e vogël, zakonisht duhet të kalojë një prag prej një përqindje minimale. Partitë e vogla as prag nuk duan, duan thjeshtë në gjithë vendin t’u mblidhen votat aq sa u duhen për ndonjë mandat. Nëse bazohemi te një “simulim” që e kishte bërë pak ditë më parë TV Siteli, partitë e vogla, me prag ose pa prag, e kanë vështirë të sigurojnë vende deputetësh, sepse praktikisht, veprojnë si parti lagjesh të cilat e kanë vështirë në gjithë vendin të sigurojnë një deputet. Sipas atij simulimi, vetëm “E majta” e Apasievit do të fitonte nga dy në pesë mandate, dhe do të humbnin edhe shqiptarët nja tre deputetë, ndërkaq partitë tjera do të mbeteshin aty ku janë.
Nga ana tjetër, partive të mëdha u pëlqen modeli aktual ngase ai u siguron stabilitet në qeverisje, pa varësi nga huqet e partive të vogla. Ato bile më mirë dhe më sigurt e kanë pranë partive të mëdha në koalicione, sepse liderëve të tyre u sigurojnë zakonisht nga një mandat, që praktikisht edhe është qëllimi i ekzistimit të tyre, plus ndonjë beneficion të imtë nga qeverisja pastaj. Modeli proporcional me një njësi, pa koalicionime, shumë nga këto parti do t’i kishte çuar në “histori”, siç bëri para disa vitesh një marrëveshje politike midis PD-së dhe PS-së, ku u eliminuan partitë satelite. Prandaj më duket se ato e dijnë se s’kanë shumë hajr prej modelit, por më tepër duan të krijojnë ndonjë krizë për të ndërruar anën, kur e shohin se një anije po fundoset ngadalë…
- BASHA IKU, PROBLEM MBETI…
Në skenën politike të Shqipërisë, më në fund ndodhi “vdekja e paralajmëruar” e një karriere politike, dorëheqja e LulzimBashës, pasi në zgjedhjet e pjesshme “arriti” PD-në ta radhisë në vend të tretë. Nga ana tjetër, fitorja e Berishës, nuk është fitore edhe për PD-në!
Sepse, nëse për dështimet e cikleve zgjedhore brenda dhjetë vjetësh sa ka qenë në krye të PD-së, mund t’i adresohen Bashës (dështimi më i madh që e defaktorizoi PD-në ishte djegia e mandateve), përjashtimi i Berishës nga grupi parlamentar si vendim personal, nuk bie në grumbullin e dështimeve. Ai aty bëri një kompromis që të mos e involvojë PD-në, e për ta çuar një vullnet politik të Uashingtonit. Pikërisht ky moment e bën problem edhe zgjidhjen e krizës në PD. Nëse Berisha do të çojë inatin gjer në fund, do ta vë gjithë PD-në përballë Uashingtonit, sepse ambasadorja amerikane në Tiranë, Juri Kim, ka paralajmëruar me kohë PD-në. Zgjidhja tjetër është përsëritja e eksperimentit të Bashës, që të vijë në krye të partisë një njeri i Doktorit, i cili parape si me Bashën, do të udhëheqë nën hije. Pas përvojës së hidhur të Bashës,(ky edhe me fajin e vet), shtrohet pyetja cili nga aktivistët e PD-së do të zgjidhte të jetë një Bashë i dytë?
Përkundër të gjithave, zgjedhjet e kaluara lokale, treguan se pa një opozitë të bashkuar, pa një PD unike, çdo betejë opozitare kundrejt Ramës është e dështuar. Ndaj dhe nevojiten zgjidhje racionale brenda PD-së, si forcë kryesore opozitare, me Berishën keq, pa të edhe më keq…
- “EDI RAMA” SI ZELENSKI!
Pse jo? Florian Binaj, alias Edi Rama i “Portokallisë”, të bëjë parti të veten? A ka moment më të mirë se të paraqitet një alternativë opozitare që do të ngritej mbi agoninë e PD-së? Gjithçka është e mundur. FlorianBinaj është parë në protestat qytetarë për shkak të rritjes së çmimeve dhe dy edicionet e fundit të “Portokallisë” ka munguar, pa arsyetim konkret. Kjo i bëri portalet të spekulojnë, gjë të cilën ai vetë e ka përgënjeshtruar, se do të bëjë parti. Por një portal ishte ndërlidhur “e pse jo, ç’të keqe do të kishte” nga kjo?
Tash a është një Flori në fazën e “testimit” të terrenit për diçka të tillë, ai nuk është decid, por duke e ditur popullaritin e tij, s’do të ishte e pazakontë, duke e marrë parasysh shembullin e Volodimir Zelenskit, i cili popullaritin si aktor humori e shfrytëzoi për t’u katapultuar në politikë dhe sot është simbol i rezistencës dhe shpirtit të fuqishëm ukrainas kundrejt pushtuesit rus. Flori në Shqipëri s’do të kishte detyrë kaq të vështirë, mjafton të futet në ujërat e politikës në një moment të krizës opozitare dhe…s’i dihet.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)




